sq - en

Nga tryeza e KDI-së – Hoti: Nuk ka kompromise të tjera, Kosova shkon në dialog vetëm për njohje

Tryeza 17.06.2020

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?” midis Kryeministrit Hoti dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe medias.

Në hapjen e tryezës, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, theksoi që procesi i dialogut ka ndikuar në mënyrë indirekte në zhvillimet politike. Kryeziu shtoi që duke qenë se dialogu tashmë ka të bëj me konsolidimin e shtetësisë, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, konsensusi politik është i domosdoshëm.

Ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Jean Hubert-Lebet, në fjalën e tij përshëndetëse, theksoi që procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është çështje evropiane. Sipas tij “secili duhet ta kuptojë që problemet evropiane kërkojnë zgjidhje evropiane. […] Vetëm zgjidhjet që i respektojnë vlerat evropiane mund të shpiejnë në integrime evropiane”.

Në adresimin e tij, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, listoi parimet dhe objektivat e Platformës së Qeverisë së Kosovës lidhur me procesin e dialogut. Sa i përket takimit të paralajmëruar për datën 27 qershor në Uashington, kryeministri deklaroi që ende nuk ka agjendë apo tema të përcaktuara, ndërsa, theksoi që pas qartësimit të tyre, do të caktohet edhe delegacioni që do të marrë pjesë në takim. Për më shumë, ai njoftoi që Qeveria ka marrë vendim që deri në mbajtjen e këtij takimi të pezullojë veprimet që lidhen me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke treguar vullnetin e mirë të palës kosovare. “Pas përfundimit të këtij takimi, në muajin korrik pritet të mbahet edhe Samiti i Parisit” njoftoi ai.

Lidhur me rolin e SHBA-ve dhe BE-së në procesin aktual të dialogut, Hoti deklaroi që “Të dy palët e komplentojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, marrëveshja nuk mund të arrihet, e aq më pak të zbatohet, pa përfshirjen e dy palëve.

Pjesëmarrësit e pranishëm nga shoqëria civile në këtë tryezë, ngritën çështjet e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përfshirjen e komunitetit serb në procesin e dialogut, perspektivën gjinore në dialog, si dhe shfuqizimin e rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Ky diskutim u organizua me përkrahjen e Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.