Zyrtarët komunalë për Informim dhe IT marrin pjesë në procesin e ri-dizajnimit të ueb faqeve komunale që do të ngrisin standardet e transparencës

08.07.2016

Institucionet e nivelit lokal vazhdojnë të mos i përmbushin standardet minimale për transparencë ashtu siç parashihen me legjislacionin aktual. Mungesa e decentralizimit të ueb faqeve komunale dhe mos krijimi i kushteve teknike nga niveli qendror për qasje dhe manovrim më të lehtë të komunave në ueb faqet zyrtar është identifikuar si problem kyç.

Me iniciativën e KDI-së dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), zyrtarët e teknologjisë informative (IT)  dhe zyrtarët për informim të komunave është diskutuar tema “Decentralizimi dhe modalitetet për pasurimin e ueb faqeve të komunave me të dhëna”.

Një hap i mirë që është bërë në këtë drejtim është krijimi i grupeve punuese të MAPL për identifikimin e nevojave të komunave për ridizajnim të uebfaqeve dhe mbështetja e realizimit të këtij projekti nga DEMOS. MAPL kërkoi që diskutimet dhe sugjerimet konkrete në këtë tryezë të shërbejnë në proces pra kur kompania është veç duke i ridizajnuar ueb-faqet e komunave.

Kërkesa kryesore e komunave mbetet që t’u jipet hapësirë më e madhe për manovrim në uebfaqet e tyre, psh lidhja e tyre me rrjetet sociale, ndryshimi i domenit (emri i komunës.rks-gov.net), sortimi kalendarik dhe alfabetik i të dhënave, standardizimi automatik i tekstit dhe fotove, funksionalizimi i modulit kërkimor (search) etj

 

Në kuadër të tryezës, pos linqeve adekuate për secilin dokument i përcaktuar me legjislacion, pjesëmarrësit u fokusuan edhe në të dhënat statistikore që duhet ti kenë komunat në të ardhmen me qëllim të përdorimit të tyre  në hartimin e politikave publike dhe zhvillim ekonomik lokal. Përvojat e komunës së Prishtinës dhe Gjakovës u morën si shembull se si duhet t’i përmbajnë ueb faqet e komunave edhe këto të dhëna.