Zgjedhja e Presidentit nga populli: Nevojë e kohës apo retorikë e zakonshme?

24.07.2015

Hartimi i këtij punimi është nxitur nga iniciativa e pa përfunduar e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit, nga debatet e fundit për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, si dhe deklarimet se zgjedhja e drejtpërdrejt e Presidentit ndryshon edhe sistemin parlamentar të qeverisjes në Kosovë. Me këtë punim KDI mëton të hapë një diskutim të gjerë shoqëror e politik, bazuar në perspektivat dhe përvojat rajonale e më gjerë mbi mënyrën dhe parametrat tjerë të zgjedhjes së Presidentit në vend. KDI thërret që ky proces të jetë i hapur për qytetarët dhe të reflektojë preferencat e tyre.

 

Nga krahasimi i praktikave në vendet me sistem parlamentar të qeverisjes në Evropë, vërejmë se gjashtëmbëdhjetë (16) prej tyre Presidentin e zgjedhin drejtpërdrejt nga populli, kurse dhjetë (10) vende tjera Presidentin e zgjedhin nga Parlamenti. Nga vendet e rajonit, përveç Kosovës, Presidentin nga parlamenti e zgjedhin edhe Shqipëria dhe Greqia, kurse të gjitha vendet tjera Presidentin e zgjedhin drejtpërdrejt nga populli. Sistemi zgjedhor më tipik për zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit është sistemi dy-raundesh, apo i njohur ndryshe si ‘balotazhi’ ku organizohet një raund i dytë i zgjedhjeve me dy prej kandidatëve më të votuar nga raundi i parë. Bazuar në rezultatet e punimit Krasniqi tha se “vijmë në konstatimin se ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit në Kosovë nuk do të shkaktonte edhe ndryshimine sistemit qeverisës. Ajo çfarë KDI dëshiron të tërheq vërejtjen është sa i përket kompetencave të Presidentit, që në rast të shtimit të kompetencave ekzekutive do të shkaktohej konflikt në ushtrimin e funksionit të Presidentit me atë të Kryeministrit. Edhe ashtu Kushtetuta e Kosovës përcakton 30 kompetenca për Presidentin, që nga krahasimi me vendet tjera me sistem parlamentar të qeverisjes janë më të shumta dhe më të mëdha.”

 

Ne konsiderojmë se deri te ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit duhet të arrihet vetëm nëse konstatohet se mënyra e tanishme e zgjedhjes dhe kompetencat ekzistuese paraqesin problem në ushtrimin e funksionit të Presidentit, dhe assesi nuk duhetndryshuar mënyra e zgjedhjes apo të shtohen kompetenca për shkak të ambicieve personale, shtoj më tutje Krasniqi. Zgjedhja e Presidenti në Kosovë është treguar të jetë ‘thembra e Akilit’ për koalicionet qeveritare duke shkaktuar jo stabilitet në Qeveri dheka bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Përkundër që kalimi i zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi te populli do të rriste stabilitetin e qeverisë dhe do të avanconte të drejtat e qytetarëve përmes demokracisë së drejtpërdrejt, në praktikë është treguar se në vendet ku demokracia është në konsolidim e sipër – ashtu siç është rasti i Kosovës –  mund të abuzohet për qëllime autokratike.

 

Në këtë punim është analizuar edhe aspekti teknik si dhe standardet më të mira ndërkombëtare në rast të organizimit të zgjedhjeve presidencial. Krasniqi tha se nga analiza që i kemi bërë Draft-Ligji për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, që rezulton nga puna e Komisionit ad-hoc për Ndryshimet Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës të vitit 2012, konstatojmë që për mandatin e ardhshëm të Presidentit që parashihet të filloj në prill të viti 2016, nuk ka kohë të mjaftueshme që ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratohen në afate të rregullta kohore. Draft-Ligji parasheh që Kryetari i Kuvendit të shpallë zgjedhjet presidenciale gjashtë muaj para përfundimit të mandatit aktual të Presidentit, që sipas kalendarit i bije që zgjedhjet të shpallen më 7 tetor të këtij viti, që është kohë shumë e shkurtër dhe gara do të ishte e pabarabartë për kandidatët tjerë që të përgatiten për fushatën zgjedhore. Po ashtu, edhe Komisioni i Venecias rekomandon që ndryshimet në sistemin zgjedhor të mos bëhen brenda vitit kur parashihet të mbahen zgjedhje.

 

Në këtë konferencë janë prezantuar edhe rezultatet e anketës me qytetarë për zgjedhjen e Presidentit. Krasniqi tha se është angazhuar një kompani profesionale për të anketuar qytetarët dhe se anketimi është zhvilluar në terren nga data 26 qershor deri më 6 korrik 2015. Marzha e gabimit është +-3.1%. Në kuadër të këtij hulumtimi janë anketuar 1,000 qytetarë të Kosovës, të moshës mbi 18 vjeçare. Rezultatet e anketës janë si në vijim:

 

1.Në pyetjen lidhur me preferencat e qytetarëve për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, 89.7 përqind e të anketuarve janë shprehur në favor të zgjedhjes së drejtpërdrejt të Presidentit nga populli, kurse vetëm 10.3 për qind janë deklaruar se duhet ruajtur sistemin aktual të zgjedhjes që është nga Kuvendi.

 

 

 

2.Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje në rast të zgjedhjes së drejtpërdrejt të Presidentit nga populli, 84.8% e të anketuarve janë deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, që është pjesëmarrje më e lartë se ajo zyrtare në zgjedhjet e fundit parlamentare 42.63 për qind. Kurse, vetëm 4.3 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Votuesit që nuk e dinë nëse do të merrnin pjesë në zgjedhjet presidenciale janë 10.9 për qind.

 

 

3.Pyetja e tretë drejtuar qytetarëve ishte lidhur me preferencat e tyre për personin që do të dëshironin ta shihnin si President të ardhshëm të vendit. Pyetja ishte e hapur dhe të anketuarit kanë qenë të lirë të shprehin preferencat e tyre. Sipas rezultateve të anketës, nuk ka një person konsensual që do të merrte shumicën e votave të qytetarëve, që nënkupton se në rast të zgjedhjeve të drejtpërdrejta duhet të mbahej raundi i dytë i zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve më të votuar.

 

Sidoqoftë, personi më i preferuar nga qytetarët e anketuar për postin e Presidentit është kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me 29.6 për qind. Si kandidatin e dytë më të preferuar qytetarët kanë nxjerrë ish kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me 17.1 për qind, kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është personi i tretë më i preferuar nga qytetarët me 10.6 për qind. Një pjesë e konsiderueshme prej 9.8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk kanë ndonjë kandidat të preferuar, përderisa 6.9 për qind kanë thënë se do të dëshironin dikë tjetër jashtë skenës aktuale. Presidentja e tanishme e vendit Atifete Jahjaga duket se nuk gëzon mbështetje të qytetarëve edhe për mandatin e dytë, ngase vetëm 2 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do të dëshironin një gjë të tillë.