Autore: Laura Spaçi
Sllogani i Vetëvendosjës që RTK-në e quante “Ministri për Propagandë” e menaxhmentin e saj si mjet funksionimi i Klanit Pronto, duket se sot po shfrytëzohet si një strategji e heshtur nga vetë kjo parti. Premtimet për çlirimin e mediave, forcimin e demokracisë dhe luftimin e korrupsionit ka filluar ti lërë në petkun e harresës. Vetëvendosje ka zgjedhur të prekë pikërisht në rrënjët e ekzistimit të demokracisë,- në përpjekje për të kontrolluar mediat e lira dhe kësaj rruge duket se i ka hyrë me vrull. Kontrollimi i Medias së Lirë nga ana e pushtetit do të thotë privim i lirisë së shprehjes.
Ndërsa privimi i lirisë së shprehjes do ta lërë Kosovën në një shtet me demokraci të “kalbur”. Mirëpo çfarë bëri qeveria që të akuzohej për tentim kapjeje të medias së lirë?
Pushteti plot tri herë tentoi të ndikonte në mbarëvajtjen e rrymës mediatike në Kosovë.
Fillimisht, në qershor të vitit 2023 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e Kosovës, tentoi t’ia merrte licensën televizionit dhe mediumit Klan Kosova me arsyetimin për gabimin në adresën e pronarit të kompanisë Klan Kosova. Vendim ky që u kontestua nga Gjykata Komerciale e Kosovës.
Pasi kjo tentativë i shkoi huq, qeveria ndryshoi strategji, ndërsa këtë herë vendosi t’ia lehtësojë vetes punën drejt kontrollimit të mediave me miratimin eLigjit për Komisionin e Pavarur për Media. Miratimi i këtij ligji nuk u prit aspak mirë nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike e as nga Asociacioni i Gazetarëve Serb në Kosovë, të cilët miratimin e këtij ligji e panë si tentim disiplinimi i mediave online nga shteti e censurë e cila do të “gjymtonte” fjalen e lirë. Reagime të ashpra pati edhe nga Ndërkombëtarët, të cilët u shprehën mjaft të zhgënjyer nga veprimet e qeverisë në këtë rast. Kreu i misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog pas miratimit të ligjit tha se projektligji nuk u rreshtua përkrah standardeve të BE-së deklaraton RTV21.TV, ndërsa përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë konsideronin miratimin e këtij ligji si ditë zie për lirinë e medias. Edhe ky ligj përfundoj në gjykatë kushtetuese për vlerësim.
Pasi që qeveria pa se nuk po i ecte aq lehtë të shtrinte ndikimin e saj në media, kësaj radhe duket se tentoi në mënyrë më tinzare të “heshte” kritikuesit e saj. Pre e saj kësaj here ishin mediumi Nacionale dhe Periskopi., ndërsa qeveria gjithashtu synoi të kapte RTK-në që dikur e sulmonte ashpër. Së pari ia përgatiti vetes rrugën duke futur brenda saj aktivistin e Vetëvendosjes, Rilind Gërvallën i cili ishte njëkohësisht anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë, në pozitën e drejtorit të kanaleve Shqip të RTK-së. Më vonë, ai u bë protagonisti kryesor i një skandali të RTK-së të dyshuar kësaj radhe për korrupsion. Ishte RTK ajo që në edicionin e lajmeve qendrore publikoi si kronikë artikullin e paverifikuar të një medie boshnjake, i cili pretendon, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë nën kontroll edhe mediat kosovare. Ky artikull mes tjerash shprehte se dy mediume në Kosovë – Periskopi dhe Nacionale – janë ofruar në shërbim të shtetit serb dhe financohen nga i njejti .
Pas këtij lajmi reagoi Darko Brkan, drejtues i platformës së kontrollimit të fakteve në Bosnje-Hercegovinë, “Raskrinkavanje”, ku për portalin boshnjak “Slobodna Bosna” tha se janë prodhues të mëdhenj manipulimesh. Përkundër reagimit të tij dhe përkundër mungesës së burimeve që vërtetojnë korrektësinë e akuzave në këtë artikull, RTK-ja duket se nuk e ka ndarë mendjen se a duhet ta shprehë publikisht pendesen e saj. Mirëpo a është penduar ajo me të vërtetë? Atëherë kryetari i kanaleve në shqip Rilind Gërvalla duket se nuk u brengos fare për këtë situatë, ai biles para mbledhjes së jashtëzakonshme të bordit të RTK-së për të dikskutuar për këtë temë tha se nuk e di për çka janë mbledhur. E tërë vemendja u kthye tek zëvendëskryetari i RTK-së Adi Krasta, e cili në mungesë të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së ushtronte kompetencat e tij, si fillim u duk që skandali i tillë nuk po i dukej edhe aq skandaloz, mirëpo ishte një veprim i zënë në flagrancë nga mediat që e ktheu bindshëm mendimin e opinionit se pas publikimit të atij lajmi ekziston dora e pushtetit.
Adi Krasta zevendesdrejtori i RTK në një periudhë kaq delikate të RTK-së fotografohet në pompë benzini me deputeten Dejona Mihaili. Pastaj edhe fakti se atë lajm të RTK po konkuronin se kush më shpejt do ta shperndante në llogaritë e tyre personale në Facebook anëtarët e qeverisë u bë një alarm i fortë për kapje të medias së lirë nga ana e pushtetit.
E krejt këto veprime të qeverisë i kushtuan Kosovës duke e kthyer në shumë pikë mbrapa lirinë dhe pavarësinë e shtypit. Sipas raportit të Reporters Without Borders, organizatë ndërkombëtare joqeveritare që mbronë lirinë e shtypit,në vitin 2024,Kosova pësoi një rënie të madhe për plot 19 vende në lirinë e shtypit. Kosovanë vitin 2023 renditej në vendin e56-të, ndërsa këtë vit renditet në vendin e 75-të. Po ashtu, Freedom House një organizatë tjetër ndërkombëtare joqeveritare që analizon gjendjen e lirisë së internetit dhe censurës digjitale në mbarë botën, e vlerësoi gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë si gjendje të zymtë dhe sigurinë e gazetarëve kritike, krejt ky hulumtim si shkak i ndërhyrjes së qeverisë për tia marrë licensën Klan Kosovës.
Ndërsa qeveria duhet ta ketë të qartë se një shtet demokratik mundet të funksionoj më së miri me media të pavarura, çdo tentativë tjetër do të pëkeqësonte të drejtat e qytetarëve, do të përkeqësonte lirinë e shprehjes dhe do të rriste nivelin e korrupsionit.
“Ky editorial është përgatitur në kuadër të garës që KDI ka realizuar mes të rinjve pjesëmarrës në Akademitë Kundër Korrupsionit, të organizuara në të gjitha rajonet e vendit. Ky editorial është vlerësuar me çmimin e tretë në këtë garë, dhe është përgatitur nga autorja Laura Spaçi. Qëndrimet dhe vlerësimet në editorial janë autoriale, dhe nuk pasqyrojnë medoemos qëndrimet e KDI-së. Kurse, aktivitetet e zhvilluara në kuadër të këtij programi, përkrahen nga Qeveria Suedeze, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.“