Në prag të përmbylljes së punimeve të Kuvendit për sesionin pranveror, KDI mban tryezë për të diskutuar se: Si ndikon mungesa e agjendës legjislative dhe cili është efikasiteti i Kuvendit të Republikës së Kosovës në procesin ligjbërës gjatë sesionit pranveror? A duhet Kuvendi të shërbejë si “filter” apo “vulë në procesin e ligjbërjes?
Pjesëmarrësit e tryezës kryesisht nga shoqëria civile dhe dy kryesueset e Komisioneve parlamentare për Integrime Evropiane dhe Legjislacion, Njomza Emini dhe Albulena Haxhiu nxorrën në pah sfidat kryesore që kanë përcjellë Kuvendin dhe Komisionet në sesionin pranveror:
• Mungesa e Planit të Punës së Kuvendit, pavarësisht se një gjë e tillë është e obliguar me Rregulloren e Punës;
• Miratimi i ligjeve me procedurë të përshpejtuar, rrjedhimisht kthimi i ligjeve të njejta për plotësime apo ndryshime;
• Prezenca e mangët e Ministrive sponzorizuese të ligjeve në mbledhjet e Komisioneve të Kuvendit;
• Joserioziteti i Komisioneve Parlamentare për monitorimin e zbatimit të ligjeve në fuqi.
• Etikë e mangët e deputëtëve për ta kryer punën e tyre në mënyrë profesionale, psh mosleximi i ligjeve
Pjesëmarrësit rekomanduan angazhimin e asistentëve/stafit mbështetës për komisionet, duke ditur që komisionet disponojnë më buxhetet e veta. Ata po ashtu rekomanduan që ky buxhet ekzistues, shpesh i pashpenzuar, të shfrytëzohet për hulumtime.
KDI falenderon dy panelistet e tryezës, deputetet Albulena Haxhiu dhe Njomza Emini për gatishmërinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile në dobi të përmirësimit të cilësisë së ligjeve dhe ngritjes së efikasitetit dhe kapaciteteve të Kuvendit.