Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot një tryezë diskutimi lidhur me të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, në një debat të hapur mes pjesëtarëve të shoqërisë civile, medias dhe korit diplomatik në Kosovë.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, në hyrje të diskutimit bëri një përmbledhje të përgjithshme të zhvillimeve të fundit rreth procesit të dialogut Kosovë – Serbi. z. Kryeziu ngriti disa nga çështjet aktuale që lidhen me vizionin rreth dialogut, koordinimin e Delegacionit Shtetëror dhe institucioneve tjera kushtetuese lidhur me fazën përmbyllëse të dialogut, si dhe cili do të jetë roli i Kuvendit të Kosovës në këtë proces. Më tutje, z. Kryeziu ngriti çështjen e përmbajtjes së projektligjit për delegacionin shtetëror, duke bërë të ditur që KDI ka përgatitur një analizë mbi këtë projektligj, të cilën KDI ua ka përcjellë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në fjalën hyrëse, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet, ofroi perspektivën e shtetit zviceran lidhur me fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi. Ai theksoi se mësimi kryesor në marrëdhëniet ndërkombëtare është se ridizajnimi i kufijve nuk ka funksionuar asnjëherë. “Ne nuk kemi asnjë shembull përgjatë historisë që me lëvizje të kufijve me këmbim të territoreve është siguruar paqja e qëndrueshme apo normalizimi ndërmjet palëve që kanë qenë në konflikt” shtoi ai. Mësimi i dytë, sipas tij, është që asnjëherë nuk duhet që palëve t’iu bëhet presion për arritjen e një marrëveshje. Më tutje ai shtoi që “nuk ekziston asnjë shembull kur ‘zgjidhjet e shpejta’ kanë qenë të qëndrueshme për një periudhë afatgjate”. Sipas ambasadorit Lebet, mësimi i tretë ka të bëjë me atë se secili proces i paqes duhet t’i ketë parasysh specifikat e konfliktit në fjalë. Dhe, sipas tij, mësimi i katërt është që elementi kryesor nuk është nënshkrimi i marrëveshjes, por realisht diferenca bëhet nga procesi i zbatimit të asaj marrëveshje. Në fund, ambasadori potencoi që për arritjen e një marrëveshje nevojitet kurajo dhe vizion nga liderët si dhe përfaqësuesit e të dyja palëve të përfshira.
Anëtarët e pranishëm të shoqërisë civile në këtë tryezë, ngritën çështje të ndryshme të cilat lidhen me procesin e deritanishëm të dialogut Kosovë-Serbi, ku theksuan se niveli i zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani ka qenë i ulët. Po ashtu, u diskutua lidhur me kompetencat dhe mandatin e delegacionit shtetëror, mungesën e legjitimitetit, mungesën e unitetit të spektrit politik, ku u tha se kjo po reflektohet edhe në mungesën e bashkërendimit institucional lidhur me fazën përmbyllëse të dialogut. Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe akteve të nxjerra nga institucionet e ndryshme lidhur me dialogun, siç janë rezoluta, projektligji dhe platforma për dialogun, të cilat u tha që nuk do të kenë efekt praktik pa një vullnet politik për konsensus të gjerë të spektrit politik. Pjesë tjetër e këtij diskutimi ishte edhe taksa prej 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Në këtë tryezë ishte paraparë që pjesë e panelit të jenë bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, z. Fatmir Limaj dhe z. Shpend Ahmeti, por që të njëjtit kanë anuluar pjesëmarrjen në momentin e fundit.
Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.