Trajnimi i vëzhguesve për monitorim të shpenzimeve të partive gjatë kampanjës zgjedhore 2010

01.01.2011

Prishtinë 25 Nëntor, 2010– Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një trajnim për vëzhguesit e fushatës elektorale që do të zhvillohet nga data 1 deri më 10 Dhjetor. Puna e këtyre vëzhguesve konsiston në monitorimin e shpenzimeve të partive politike përgjatë gjithë kampanjës dhe në gjithë territorin e Kosovës.

KDI u ka ofruar një pasqyrë të shkurtër të asaj se çka supozohet të monitorojnë vëzhguesit dhe informacionin mbi mënyrën se si manifestohet korrupsioni në fushata zgjedhore, si:

  • Donacionet e tipit ?quid pro quo?, ku subjektet politike pranojnë burime
  • për fushatë, në kthim për trajtim me favore kur këto subjekte zgjidhen në pozita kyçe shtetërore (prokurim publik sh. tenderë)

  • Subjektet politike keqpërdorin burimet e shtetit / publike për qëllime të fushatës zgjedhore
  • Blerja e votuesve dhe e zyrtarëve të tjerë që organizojnë zgjedhjet.

Vëzhguesve u janë sugjeruar disa objekte vrojtimi ose monitorimi: i të ardhurave, shpenzimeve, dhe në fund krahasimi nëse të ardhurat e deklaruara janë të barabarta me shpenzimet. Monitorimi i shpenzimeve ndihmon për të zbuluar dhe ulur korrupsionin, duke identifikuar mënyrat ose indikacionet e korrupsionit. Këto informata si të tilla mund të përdoren nga organet kompetente ligjore për të iniciuar dosje ndaj shkelësve të ligjit, në këtë rast nëse subjektet nuk e deklarojnë pasurinë e tyre ose nëse të dhënat e tyre nuk janë të sakta.
Vëzhguesit marrin pjesë në të gjitha aktivitetet e subjekteve politike përkatëse në komunën që ata janë të përcaktuar, dhe plotësojnë formularët sikurse kërkohet.