KDI, degë e Transparency Internacional në Kosovë, kërkon nga SHSKUK që të mos përdorë kushte diskriminuese në konkurse për staf. Më 31 mars 2016 Shërbimi Spitalor i Klinikës Universitare të Kosovës (SHSKUK) ka shpallur konkurs për plotësimin e 11 pozitave në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Konkursin e shpallur SHSKUK-ja e ka bazuar në ligjin për buxhetin, i cili ligj e ka kufizuar SHSKUK-në në pranimin e asistentëve të rregullt të Fakultetit të Mjekësisë në punë si specialist duke lënë anash spacialistët e lëmive të njëjta e të cilët nuk janë asistentë në Fakultetin e Mjekësisë. KDI konsideron se Kuvendi i Kosovës gjatë miratimit të ligjit për Buxhetin ka bërë shkelje të ligjeve të veçanta, përkatësisht Ligjin e Punës nenin 5 të këtij ligji, duke diskriminuar specialistët e lëmive përkatëse.
Në Shërbimin për Këshilla Ligjore për viktima dhe denoncues të korrupsionit në KDI, janë paraqitur mjekët specialistë ku ndër të tjera kanë kërkuar publikimin e shkeljes që iu është bërë atyre. Për t’i përgaditur këta specialist, Ministria e Shëndetësisë dikur ju kishte paguar specializimin, ndërsa tani ata mbeten pa punë të rregullt edhe pse shteti ka investuar taksat tona në shkollimin e tyre.
Majlinda Kurti, nga KDI i bëri thirrje SHSKUK-së që të anuloj konkursin e datës 31 mars 2016, dhe të shpallë konkursin e ri, në të cilin do të largojë nga kriteret të qenurit asistent i rregullt i Fakultetit të Mjekësisë për të aplikuar në pozitat e paraqitura. Me këtë SHSKUK do të mundësonte qasje të barabartë të gjithë specialistët të lëmive përkatëse, përfshirë edhe asistentët e rregullt – tha ajo.
Dr. Luljeta Durmishi Maqedonci, internist kardiolog, tha se nevojiten dekada për të arritur në statusin e specialistit, dhe tani më ka marrë malli që të jap kontributin tim. Thjeshtë të marrë stetoskopin, të auskultoj, dhe sondën që të bëj një echo të zemrës.
Kurse, Dr. Arben Ademi, kirurg i përgjithshëm tha se diskriminim është që kemi mbetur pa punë për vite të tëra me gjithë shkollimin që kemi. Afër 100 specialistë janë në situatë të ngjashme.
Dr. Fitnete Gashi, internist hematolog tha se përkundër tërë këtyre viteve shkollim, dhe përkundër se klinika e hematologjisë si klinikë e vetme e këtij lloji në Kosovë, ka deficit të kuadrove mjekësore, fakti që jemi të papunë nuk do koment.
KDI i bënë thirrje publike Ministrisë së Shëndetësië, Ministrisë së Financave, Komisionit për Buxhet dhe Financa si dhe gjithë deputetevë të Kuvendit të Kosovës, që kur bëhet rishikimi i buxhetit të parashihen vende të punës në QKUK për specialistët që mund të punojnë vetëm në këtë institucion, si dhe vende të punës për specialist të tjerë në spitalet rajonale. Me këtë institucionet tona vëtëm sa e aplikojnë nenin 72 paragrafi 7 të Ligjit për Shëndëtësinë, ku thuhet se të gjithë specialistët të cilët kanë përfunduar shkollimin me financim nga Ministria e Shëndetësisë do të punësohen në tre nivelet shëndetësore në bazë të një programi të veçantë.
Shërbimin për Këshilla Ligjore për viktima dhe denoncues të korrupsionit në KDI përveç mundësisë për të takuar direkt zyrtarin ligjor në zyrën e saj, ka edhe linjën telefonike pa pagesë 0800 77 777, ku qytetarët mund të raportojnë raste korrupsioni, qofshin si dëshmitarë apo viktimë të këtyre rasteve. Gjithashtu formë tjetër e raportimit është edhe adresa elektronike [email protected].