Në seancën e nesërme, Kuvendi pritet të shqyrtojë në lexim të parë projektligjin lidhur me financimin e subjekteve politike. Versioni i projektligjit që është sjellë në Kuvend përbën një hap të madh në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike karshi publikut. Miratimi i këtij projektligji, që reflekton edhe opinionin e Komisionit të Venedikut, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e shoqërisë civile dhe e faktorit ndërkombëtar.
Si entitete që synojnë të qeverisin me qytetarët dhe vendin, subjektet politike duhet të demonstrojnë shembull të mirë të vetëqeverisjes, duke garantuar në radhë të parë që, financimi dhe shpenzimet e tyre bazohen në parimet e transparencës dhe llogaridhënies.
Marrë parasysh rëndësinë e madhe të këtij projektligji, ne, Organizatat e Shoqërisë Civile, u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos vonojnë votimin e këtij projektligji. Miratimi në lexim të parë do t’i hapë rrugë krijimit të grupit punues, puna e së cilit kërkojmë që të jetë e hapur dhe transparente, si dhe të garantojë përfshirjen e shoqërisë civile.
Demokracia Plus (D+)
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti ‘Demokraci për Zhvillim’ (D4D)
Lëvizja FOL
Organizata Çohu!
Westminster Foundation for Democracy (WFD)