Në rrethanat e krijuara pas pandemisë COVID-19, procesi mësimor në Kosovë është duke u zhvilluar përmes mësimit në distancë. Sidoqoftë, pas përfundimit të kësaj situate, institucionet arsimore pritet t’i kthehen normalitetit dhe problemeve me të cilat po përballen tash e shumë vite, si ai i zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkolla.
Shifrat tregojnë se vetëm gjatë tre viteve të fundit 2017-2018-2019 në shkollat e Kosovës ka rreth 17.669 nxënës më pak. Megjithatë po gjatë kësaj periudhe, janë punësuar 60 mësimdhënës shtesë, janë hapur 6 shkolla të mesme të larta dhe janë mbyllur 6 shkolla fillore/të mesme të ulëta, dy prej të cilave ishin hapur në 2017/2018.
Udhëzimi Administrativ specifikon se për një mësimdhënës duhet të jenë 21 nxënës (1 me 21), përkatësisht 1 me 14 nxënës në zonat malore. Gjendja faktike në disa shkolla të Kosovës tregon që ky raport është 1 me 0.5.
Dokumentari “Shkollat pa nxënës” dhe analiza “Shkollat me më pak nxënës” pasyrojnë këtë problematikë dhe ofrojnë rekomandime për institucionet për t’a tejkaluar këtë gjendje.
Projekti “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale në Kosovë” realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.