Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), zhvilloi sot diskutimin publik me temë “Rritja e transparencës dhe llogaridhënies ndaj zgjedhësve”, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Pjesë e këtij diskutimi me qytetarë ishte ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës: Vjosa Osmani (LDK), Fitore Pacolli (LVV). Xhevahire Izmaku (PDK), Ahmet Isufi (AAK).
Me këtë rast ambasadori britanik Ruairi O’Connell, foli për relacionin mes qytetarëve dhe të zgjedhurve. “Si duhet qytetarët t’i detyrojnë deputetët që të bëjnë atë që qytetarët duan? Qytetarët nuk duhet të pranojnë veprime të këqija të deputetëve, ata duhet t’i ndëshkojnë me votë. Deputetët reagojnë sipas sjelljeve dhe kërkesave të qytetarëve, nëse diçka që bëjnë deputetët është e papranueshme mos e pranoni”, ka thënë ai.
Sipas O’Connell protesta është demokratike, por sipas tij deri tash është protestuar më tepër për tema nacionale dhe jo për çështje që i prekin çdo ditë qytetarët. “Nëse nuk reagoni për çështje që ju prekin çdo ditë atëherë politikanët nuk do të merren me këto çështje”, plotësoi ai.
Kurse deputetja Vjosa Osmani pohoi se përgjatë këtyre 20 viteve, qytetaria aktive në raport me politikanët në rastet kur ka qenë e organizuar mirë ka qenë jashtëzakonisht e sukseshme. “Andaj ju ftoj që të reagoni sa herë që ka nevojë”, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, demokracia në Kosovë është në udhëkryq sepse në vend që të punohet për demokraci në këto 20 vite është punuar më shumë në stabilokraci. Si dhe ka thënë se për dy dekada kemi “mbisundim të pakicës mbi shumicën”.
Deputetja Xhevahire Izmaku ka thënë se ende ka nevojë për punë për të rregulluar llogaridhënien karshi zgjedhësve. Ajo ka potencuar se në shumicën e rasteve takohet me qytetarë nga qyteti prej nga ajo vjen përderisa komunikimi virtual ka theksuar se po i mundëson që të jetë llogaridhënëse ndaj votuesve në tërë vendin.
Ndërkaq deputetja Fitore Pacolli ka thënë se sot është dita kur duhet të flasim për demokracinë sepse ne si shtet asnjëherë nuk kemi arritë të shkojmë drejtë një demokracie të mirëfilltë. Per demokracinë sipas Pacollit duhet të diskutohet çdo ditë në mënyrë që të krijohet një qytetari aktive, sepse ka thënë se nuk mund të ketë shtet funksional pa një qytetari aktive.
Ajo ka shtuar se shteti ka punuar shumë pak që të krijohet një qytetari e tillë.
Deputeti Ahmet Isufi, ka theksuar se ka papërgjegjësi të deputetëve që nuk po marrin pjesë në seanca dhe po e bëjnë Kuvendin jofunksional. Ai vlerësoi se për hirë të demokracisë duhet që sot të bazohemi në interesat e qytetarëve të vendit dhe të reflektojnë të gjitha partitë politike. Sistemi zgjedhor shtoi se nuk ua lejon një llogaridhënie të drejtpërdrejtë ndaj votuesve andaj sipas tij do të duhej që të ndryshonte edhe sistemi zgjedhor.
Po ashtu panelistët u janë përgjigjur interesimit të audiencës për shumë pyetje që lidhen me Kuvendin, llogaridhënien dhe transparencën parlamentare.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit për rritjen e pjesëmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë i mbështetur nga Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara (UNDEF).