Rruga tek paratë tregon për humbje milionëshe të buxhetit

22.03.2016

Analiza “Rruga tek paratë” flet për monitorimin e aktiviteteve të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës  dhe kishte fokus tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale, më konkretisht pesë fazat e prokurimit duke përfshirë përgatitjen e specifikacioneve, vlerësimin dhe zbatimin e kontratës.

 

Analiza evidentoi një numër parregullësish, evitimi i të cilave do të çonte në kursime të buxhetit për 1.9 milion Euro.

 

Artan Canhasi nga KDI tha se kishte përmirësime të dukshme të transparencës së Ministrisë së Infrastrukturës kur krahasohet me vitin 2013, kohë kur KDI-së nuk i është lejuar qasje në dokumente publike.

 

“Rruga tek paratë” asocon me atë që sot është jo vetëm percepcion,  por edhe fakt dhe mendim publik vendor e ndërkombëtar, se infrastruktura e Kosovë ka qenë ndër nevojat emergjente të Kosovës ku më së shumti është investuar nga buxheti shtetëror. Por, “Rruga tek paratë” është parë si mundësi e përvetësimit dhe keqpërdorimit të shumë fondeve publike, pasi që shpeshherë është raportuar për afera korruptive Prandaj duke qenë se infrastruktura rrugore edhe ashtu kanë zënë prioritet në programet qeverisëse, ne si taksapagues nuk mund të tolerojmë keqmenaxhim apo humbje të mëtejme të parasë në mirëmbajtjen e tyre, tha Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv në KDI.

 

“Në fillim të projektit, pati zotime nga Ministria e Infrastrukturës, Shëndetësisë dhe AQP-ja për përmirësimin e transparencës. Kur ka vullnet politik është e mundur të përmirësohet gjendja. Vullneti I mirë poashtu mund të konvertohet në kursime të cilat mund të rrisin mirëqenien e qytetarëve”, tha Ruairi O’Connell, Ambasadori Britanik në Kosovë.

 

Në anën tjetër, Lutfi Zharku, Ministër I Infrastrukturës theksoi se ‘jemi të vetëdijshëm që transparenca në prokurim është tejet kritike. Shifrat dhe shpenzimet enorme buxhetore në këtë fushë dëshmojnë për nevojën e rregullimit të kësaj fushe, ndërsa transparenca në këto transaksione do të rrisë besimin në qeveri”.

 

Aferat korruptive dhe mungesa e vullnetit politik për sistemin e  prokurimit publik dhe sot janë të diskutueshme, pasi që ende s’kemi të zgjedhurit për të udhëhequr OSHP-në. Dështimi i zgjedhjes së tyre më së miri  e dëshmon ndërhyrjen dhe pazaret politike për të dominuar institucionet e pavarura.

 

Ndërsa Safet Hoxh, udhëheqës i KRPP-së, theksoi se KDI përmes kontrbutit dhe raporteve të saj po e ndihmon punën e institucioneve. KDI ka perfeksionuar procesin e monitorimit dhe ne I shohim si partner. Në këtë drejtim ftoj edhe mediat që të bëhen pjesë e këtij partneriteti, pasi kemi të bëjmë me shpenzimin e taksave të qytetarëve.

 

KDI ofroi edhe një numër rekomandimesh për të përmirësuar prokurimin në Ministrinë e Infrastrukturës dhe kërkoi që në të ardhmen inspektimi në terren të bëhet gjatë vlerësimit të kontratës dhe jo pas nënshkrimit të saj; Procesi i prokurimit të fillojë menjëherë me miratimin e buxhetit; Të mos lejohen shërbime shtesë, të cilat kalojnë vlerat e kontraktuara; dhe nga KRPP kërkoi që të shtojë monitorimin për kontratat e mëdha.

 

KDI në kuadër të këtij projekti ka prodhuar edhe raport të detajuar për aktivitetet e prokurimit në AQP dhe pritet të publikojë së shpejti edhe raportin për Minstrinë e Shëndetësisë.

 

 

Ky projekt është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.