Analiza e KDI-së e publikuar në tryezën e sotme kishte për qëllim të vlerësonte nëse vendimi i qeverisë së kaluar lidhur me investimin kapital “Autostrada e Dukagjinit” reflekton prioritetet dhe nevojat e qytetarëve të saj dhe nëse është i përballueshëm për kuletën e shtetit. KDI tenton të hedhë dritë mbi këtë proces planifikimi dhe të analizojë se si ky projekt arriti të devijojë nga projeksioni fillestar për zgjerimin e rrugës ekzistuese në projekt për Autostradë.
Gjatë elaborimit të gjetjeve kryesore, Fjolla Uka nga KDI theksoi që ”vendimit të Qeverisë për projektin e Autostradës së Dukagjinit, nuk i kishte paraprirë një studim i fizibilitetit dhe një anlizë e kostove dhe përfitimeve, të cilat do të mbështesnin vendimin për ridestinimin e projektit, nga zgjerimi i rrugës ekzistuese në autostradë. Për më tepër, ky investim nuk ishte paraparë në dokumentet strategjike si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Plani i Qeverisë 2017-2019. Këto dokumente mbështesin vetëm rikonstruimin e rrugës ekzistuese Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren (R-107).
Sipas KDI, jetësimi i këtij investimi do të mund të ndikonte negativisht në fusha tjera me prioritet të parapara me SKZH, si arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit e punësimi. Sa për ilustrim, kostoja reale në raport me përfitimet e planifikuara në autostradën Arben Xhaferi ka treguar se ky investim ka pasur kosto më të lartë sesa përfitimet. Edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit e parashikuar të kushtojë mbi 1 miliardë euro do të mund të prodhonte efektet e njejta.
Ali Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik AAK, ka aryestuar këtë vendim të qeverisë me nevojën e investimeve në zonën e Dukagjinit që ka rreth 600,000 banorë dhe me konsultimet publike që janë mbajtur në këto komuna. Ai vlerësoi se studimi është i vonuar, dhe kthimi në projeksionin për zgjerim nuk është i qëndrueshëm. Sipas tij,cenimi i këtij projekti është i dëmshëm për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.
Betim Reçica, sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, duke mbështetur ndërtimin e Autostradës në rëndësinë e lidhjes së rajonit me korridoret evropiane, tha që “nëse ky investim ndahet në segmente, nuk do të ndihej mungesa e investimeve në fusha tjera prioritare, dhe nëse do të menaxhohej mirë, nuk do të kishte efekt negativ në borxhin publik”.
Hajrullah çeku, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LVV tha që ka përpjekje që lidhur me këtë projekt të krijohet sentimenti anti-Dukagjin, ndërsa theksoi se megainvestimet si ky, ndonëse të nevojshme duhet të jenë rentabile. Ai vuri theks edhe në ndikimet mjedisore, sociale e kulturore që ndërtimin i autostradave mund te sjellë.
Ferat Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK theksoi se shkalla e kthimit të investimeve nga autostrada, nuk është vetëm financiare, por edhe kulturore e sociale. Ai lidhi ndërtimin e saj me zhvillimin e turizmit në zonën e Dukagjinit dhe shtimin e sigurisë rrugore.
Përfaqësuesi i Këshillit të banorëve të Rahovecit, Suad Çmega përsëriti se MI kishte ndërruar variantin e trasesë fillestare së autostradës në diskutimin e tretë publik, me të cilin nuk ishin pajtuar banorët e Rahovecit, pasi që kyçja në autostradë ishte shumë larg. Ai poashtu përmendi mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për të kundërshtuar këtë variant që nuk ishte marrë parasysh.
Shumica e të pranishmëve theksuan nevojën për depolitizim të debatit, ndërsa konfirmuan që për ketë projekt nuk kishte një plan të mirëfilltë fizibiliteti, e i cili është i domosdoshëm për vendim-marrje strategjike lidhur me investimet kapitale.
Raportin e plotë mund ta shkarkoni këtu.
Tryeza është mbajtur në kudër të projektit “Përkrahja e shoqërisë civile në rritjen e mbikëqyrjes publike dhe llogaridhënies në institucionet publike”, që mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.