Rekomandohet efikasitet në menaxhimin e seancave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit

01.01.2011

Prizren, 7 prill 2011 Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin mujor të monitorimit të punës së kuvendeve të komunave të Regjionit të Prizrenit mars 2011.

Gjatë muajt mars 2011, janë thirrur 10 mbledhje të kuvendeve të komunave në Regjionin e Prizrenit, tetë prej të cilave kanë qenë të rregullta ndërsa një mbledhje ka qenë e thirrur si solemne dhe një tjetër si e jashtëzakonshme.

Kuvendet e Komunave të Suharekës, Dragashit dhe Mamushës gjatë muajit mars 2011 kanë mbajtur nga një seancë ndërsa Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka mbajtur tri seance, Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur dy seance njëra prej të cilave ka qenë e thirrur si solemne dhe Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka thirrur dy seance njëra prej të cilave ka qenë e thirrur si e jashtëzakonshme dhe ka dështuar.

Karakteristikë e këtyre sesioneve ishte se kishin shumë gabime teknike sa i përket menaxhimit të takimeve dhe që i përshkruhen kryesuesit të kuvendit komunal. Ndër vërejtjet më të mëdha të identifikuara janë:
Së pari, për arsye të vonesës së kuvendarëve, takimet e Kuvendit Komunal kanë filluar çdoherë me vonesë prej 15 deri 30 minuta. Njëkohësisht gjatë sesioneve është vërejtur një braktisje e sallës së kuvendit për arsye se kuvendarët përdorin pauza sipas tekeve të tyre apo edhe braktisin sesionin për punë të tjera personale.
Së dyti, ne sesionin e datës 17 Mars ka pas vërejtje nga disa prej kuvendareve që materiali është dërguar me vonesë dhe për këtë arsye edhe ka munguar analizimi i mirëfilltë i tij.
Së treti, sesionet e kuvendit komunal ishin shumë të gjata dhe shpesh herë gjatë diskutimeve nuk është respektuar rendi i ditës; që ka rezultuar me diskutimet e kuvendareve të cilët kanë ?notuar? nga një çështje në tjetrën.
Së katërti, edhe pse kuvendarët kanë bërë pyetje apo ngrit çështje të caktuara, ato nuk janë adresuar nga ana e ekzekutivit komunal.
Së fundi, është vërejtur edhe përdorimi i gjuhës jo-parlamentare gjatë sesioneve të datës 17 dhe 31 Mars.

Instituti Demokratik i Kosovës rekomandon që Kryesuesi i Kuvendit komunal duhet ti adresoj këto mangësi gjatë udhëheqjes së sesioneve të asamblesë dhe atë:
– Të bëhen dy lista të nënshkrimeve për pjesëmarrje të kuvendarëve në sesionet e kuvendit dhe atë në fillim dhe përfundim të sesioneve.
– Materiali i takimeve duhet të dërgohet paraprakisht tek të gjithë kuvendarët në përputhje me periudhën e përcaktuar ligjore dhe i njëjti të vendoset në ueb faqen e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
– Që mbas aprovimit të rendit të ditës, të mos ndryshohet apo ndërrohet renditja e tij.
– Çështjet e ngritura nga ana e kuvendarëve duhet të adresohen apo marrin përgjigje nga drejtorit gjegjëse komunale. Në këtë rast i sugjerohet edhe kuvendareve që ti adresojnë pyetjet dhe kërkesat e tyre me shkrim me qëllim të protokollimit të tyre dhe mos mbetjes në harresë.
– Kryesuesi i asamblesë komunale nuk duhet të lejoj përdorimin e gjuhës jo-parlamentare gjatë sesioneve të kuvendit komunal.
Ajo çka vlen të potencohet për seancat e fundit në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë qëndrimet e anëtarëve të cilët vinë nga radhët e PDK-së dhe të AAK-së e cila kjo e fundit kishte edhe marrëveshje gojore për koalicion me PDK-në në raundin e fundit të zgjedhjeve të parakohshme, qëndrime të cilat nuk ishin në harmoni me qëndrimet e Kreut të ekzekutivit i cili po ashtu vjen nga radhët e AAK-së. Qëndrimet e anëtarëve karshi propozimit të kryetarit për marrjen e vendimit ka bërë që të mos vërehet dallimi i opozitës dhe pozitës në Kuvendin e Komunës së Rahovecit.
KDI i bënë thirrje anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit që të jenë parimor në qëndrimet e tyre karshi propozimeve të Kryetarit dhe të mos bllokojnë propozimet të cilat domosdo janë në interes të qytetarëve të kësaj komune. Opozita ta luan rolin e vetë opozitarë por edhe pozita të jetë konstruktive dhe ti lënë anash interesat dhe inatet personale me qëllim të mos krijimit të obstruksioneve për punën normale të organeve të vetëqeverisjes lokale.
Projekt rregullores për ngarkesa,tarifa dhe gjoba komunale për vitin 2011 është miratuar në këtë muaj nga Kuvendi i Komunës së Malishevës. KDI shpreh shqetësimin në lidhje me miratimin e kësaj projekt rregullore ngase Kryesuesi i Kuvendit të Komunës ka anashkaluar kontributin e opozitës në lidhje më miratimin e saj. Me një praktik ndryshe kjo rregullore është miratuar nen për neni ku në shumicën e rasteve anëtarët kanë propozuar uljen e tarifave të ndryshme kryesisht për bizneset lokale.

KDI i rekomandon Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Malishevës që të mos ndryshohen praktikat e miratimit të projekt Rregulloreve komunale dhe të mos anashkaloj kontributin e opozitës me rastin e miratimit të projekt Rregulloreve komunale.

Merrni raportin këtu