Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) duke iu referuar të gjeturave të Raportit të Progresit të publikuar më 10 nëntor 2015 kritikon institucionet publike se si ato gjenden ende në fazën fillestare të përpjekjeve për zhvillim socio-ekonomik. Në përputhje me misionin e saj, KDI i adreson tri problemet kryesore të theksuara në Raportin e Progresit. Ato përfshijnë luftën kundër korrupsionit, funksionimin e Kuvendit dhe çështjet që lidhen me zgjedhjet në Kosovë.
Lufta Kundër Korrupsionit
Sipas Raportit, problemi kryesor pse nuk ka rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit ndërlidhet me sistemin e brishtë të drejtësisë. Gjykatat dhe prokuroritë ende mbesim institucione me ndikime politike ku përveç mungesës së integritetit, ka mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe financiare. Si rezultat, ato çalojnë në administrimin e lëndëve me prioritet, e sidomos të lëndëve të korrupsionit të lartë. Mundësitë për ndryshime nuk janë shfrytëzuar nga qeveria pasi që ka pasur mungesë të vullnetit politik dhe të bashkëpunimit në mes institucioneve publike për të luftuar korrupsionin. Sektori më i prekur në këtë drejtim sipas Raportit është ai i prokurimit publik, ku qeveria vlerësohet me integritet të ulët për shkak të administrimit të dobët dhe të politizuar të sistemit të prokurimit.
Në mënyrë që institucionet publike të arrijnë efekte pozitive në luftën kundër korrupsionit, KDI ofron këto rekomandime:
a) Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial të kenë prioritet rritjen e kapaciteteve të tyre financiare dhe njerëzore në sektorin e anti-korrupsionit pasi që tani me reformat e reja ligjore këto dy trupa kanë më shumë autonomi
b) qeveria të thjeshtësojë institucionete tepërta në luftën kundër korrupsionit dhe fuqizojë bashkëpunimin në mes policisë dhe prokurorisë
c) qeveria të rrisë integritetin dhe kapacitetet tek institucionet që merren me prokurim publik përfshirë OSHP-në dhe KRPP-në me plotësimin e Bordeve udhëheqëse të këtyre institucioneve.
Funksionimi i Kuvendit
Për Kuvendin e Kosovës, Raporti potencon se ishte një vit jo efektiv pasi filloi me një bllokadë 6 mujore pas-zgjedhore dhe po përfundon prapë me një bllokadë të jetës parlamentare që erdhi si pasojë e Marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Mirëpo edhe për kohën që ky institucion ka funksionuar, Raporti nënvizon 3 pika të dobëta të Kuvendit ku ai duhet të fuqizohet: i) mbikëqyrje të Qeverisë, ii) mbikëqyrje në zbatimin e buxhetit dhe financave publike, dhe iii) në funksionalizim të agjensioneve të pavarura.
Siç ka potencuar vazhdimisht edhe KDI, Raporti konfirmon rolin e dobët të Kuvendit për t’a mbikëqyrë Qeverinë që të sigurojë një administratë publike jo të politizuar dhe në baza meritore, për t’a mbikëqyrë zbatimin e buxhetit, kontrollimin e financave publike dhe adresimin e gjetjeve të Auditorit të Përgjithshëm. Qeveria ka bërë presion që Kuvendi të përshpejtoj procedurat për miratim të legjislacionit për gjyqësinë dhe të drejtat e njeriut duke sakrifikuar debatin parlamentar. Për më tepër, në mënyrë arbitrare ka tërhequr disa projekt-ligje.
Ndërsa për detyrat e Kuvendit karshi Agjencioneve të Pavarur, vazhdon të konfirmoj ato për të cilat KDI në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen, që Kuvendi nuk po arrin të funksionalizoj Bordet me anëtarë dhe të njejtit po politizohen me anëtarë të partive politike dhe Kuvendi nuk po arrin të kërkoj llogari nga këto agjencione që vetë i ka themeluar. KDI:
a) Bën thirrje tek partitë politike parlamentare të gjejnë zgjidhje për funksionimin e rregullt të Kuvendit.
b) Kërkon fuqizimin e deputetëve dhe komisioneve parlamentare në mbikëqyrjen e Qeverisë për një administratë profesionale dhe jo të politizuar,
c) Kërkon nga Komisionet parlamentare të jenë më aktive në mbikëqyrjen e buxhetit dhe shpenzimeve duke ndjekur dhe të gjeturat e Auditorit.
d) Thërret Kuvendin për të fuqizuarmekanizimin për funksionim dhe mbikëqyrje të Agjencioneve të Pavarura.
Zgjedhjet dhe Reformat
Sa i përket fushës së zgjedhjeve, Raporti ka ngritur tri çështje si më kryesoret: i) Mungesën e reformës zgjedhore; ii) dështimin e Kuvendit për të audituar pasqyrat vjetore financiare si dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore të partive politike; dhe iii) ka vlerësuar si pozitive aspektin e menaxhimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunën e Graçanicës.
a) Kuvendi i Kosovës duhet të iniciojë procesin e reformës zgjedhore, përmes së cilës do të garantohet përmbushje e standardeve më të mira ndërkombëtare dhe përfaqësim i drejtë i qytetarëve. Pjesë e reformës zgjedhore duhet të jetë edhe Ligji për partitë politike, ligj ky që i mungon Kosovës, ku do të përcaktoheshin kriteret minimale të funksionimet të demokracisë së brendshme partiake.
b) Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) duhet që urgjentisht të përfundojë procesin e përzgjedhjes së auditorëve të pavarur, për të kryer auditimin e financave të partive politike për vitin 2013 dhe 2014. Ne rekomandojmë që krahas reformës zgjedhore, të rishikohet edhe Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, pasi ka shumë mangësi sidomos në pjesën e sanksioneve dhe afateve të auditimt, gjë që nuk garanton mbikëqyrje adekuate të partive politike
c) Ne inkurajomë KQZ-në që të vazhdojë me praktika të tilla të mira, duke përfshirë edhe rastet ku partitë të cilat emërojnë anëtarë në KQZ-së kanë interesa më të mëdha. KQZ duhet të ruaj pavarësinë si institucion kushtetues, dhe të mos ju nënshtrohet ndikimeve politike. Për ta bërë këtë, duhet të bëhen edhe ndryshime të dispozitave ligjore që iu mundësojnë partive të zëvendësojnë anëtarët e tyre në KQZ pa pasur ndonjë arsye. Për më tepër, duhet rritur edhe kapacitetet e sekretariatit të KQZ-së dhe veçanërisht Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike.