Qytetaret e Gjakoves kerkojne qe dialogu te kushtezohet me ceshtjen e te pagjeturve.

08.03.2017

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot debat publik me qytetarë, deputet të Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Gjakovës dhe kryetaren e kësaj komune me temë “Dialogu Kosovë – Serbi: këndvështrimi i qytetarëve të rajonit të Gjakovës”. Ky debat kishte për qëllim promovimin e bashkëbisedimit mes qytetarëve dhe të zgjedhurve lidhur me këtë proces.

Pjesë e panelit diskutues ishte kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, deputetët e Kuvendit: Hajdar Beqa (PDK), Armend Zemaj (LDK), Driton Çaushi (LVV) si dhe deputetja Teuta Haxhiu (AAK).

Në hapje të këtij debati Jeta Krasniqi nga KDI ka theksuar se ky proces cilësohet nga qytetarët si jo transparent dhe jo gjithëpërfshirës, përkundër faktit që ky dialog ka ndikim në jetën e të gjithë kosovarëve. Sipas saj çështjet që janë me interes për qytetarët e kësaj komune si çështja e të pagjeturve dhe krimet e luftës ende mbeten të pa trajtuara në këtë dialog edhe pse Qeveria është zotuar që do t’i diskutojë në Bruksel.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës, sa i përket procesit të dialogut ka theksuar se pala kosovare nuk ka strategji në raport me Serbinë dhe nuk ka rol proaktiv, pasi që çdo herë merret vetëm me reagime ndaj problemeve që shkakton Serbia. Sipas saj tani është momenti kyç që të ridefinohet dialogu i cili sipas saj duhet të përfshijë: ridefinim të prioriteteve nga pala kosovare, përcaktim të prioriteve tjera, të kërkohet suksesion me Serbinë si dhe të zgjidhet çështja e të pagjeturve, numri më i madh i të cilëve është nga Komuna e Gjakovës.

Deputeti Hajdar Beqa, ka thënë është e nevojshme që të rritet niveli i transparencës nga ana e Qeverisë sa i përket këtij dialogu si ndaj deputetëve ashtu edhe qytetarëve dhe të mos shfrytëzohet ky dialog për fushata politike por të ketë konsensus të plotë lidhur me të. Beqa ka konsideruar se duhet të rritet niveli i përfaqësimit në këtë dialog, që Kosova të mos ketë vetëm rol mbrojtës në këto negociata por të jetë më ofensive. Ndërkaq ka shtuar se institucionet duhet të marrim përgjegjësinë në mënyrë më dinamike që të zgjedhim çështjen e të pagjeturve për çka ka thënë se duhet të kushtëzohet Serbia.

Beqa ka komentuar çështjen e transformimit të FSK-së, duke thënë se duhet të kemi konsensus të plotë për transformimin e FSK-së. Ai shtoi se kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe konsideroi se nuk duhet të diskutohet në Bruksel.

 

Ndërsa deputeti Armend Zemaj, ka vlerësuar se transparenca në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka qenë e vonshme si ndaj Kuvendit ashtu edhe qytetarëve.

Sipas tij politika e Kosovës duhet të përshtatet me tema konkrete sepse ka thënë, se është momenti kryesor që çështjet me interes vital si: drejtësia, ushtria, partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare, temat e krimeve të luftës të jenë tema konkrete në këtë dialog. Zemaj ka shtuar se Kosova duhet të kërkoj llogaridhënie për të kaluarën dhe të ngrit padi në çfarëdo forme ndaj Serbisë për të bëmat e saj nga vitet 1989-1999. Sa i përket transformimit të FSK-së, ai ka thënë se çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës ne nuk duhet ti lidhim detyrimisht me procesin e dialogimit sepse sipas tij, vetë shtytja e shtetit serb ndaj deputetëve të Kuvendit që janë pjesë e listës serbe  tregon se ata nuk e kanë vullnetin dhe gatishmërinë që të lejojnë ndryshime kushtetuese.

Deputeti Driton Çaushi, duke kritikuar mënyrën se si është dialoguar dhe marrëveshjet që janë arritur deri më tani në kuadër të këtij dialogu, ka theksuar se nuk mund të ketë asnjë lloj dialogu pa kushte dhe parime. Sipas tij, marrëveshjet e arritur deri më tani përveçse kanë shkaktuar pakënaqësi e kanë bërë Kosovën më pak të pavarur.

Po ashtu ka shtuar ndër të tjera se Kosova duhet të kushtëzojë Serbinë në këtë dialog me njohjen e ndërsjellë, largimin e Kosovës si pjesë e Serbisë nga kushtetuta e Serbisë, kthimin e të pagjeturve, reparacionet si dhe ndjekjen e atyre që kanë kryer krime. Lidhur me transformimin e FSK-së Çaushi, ka thënë duhet të jetë një projektligj i menduar mirë dhe nuk duhet të jetë pjesë e negocimit në Bruksel.

Kurse deputetja Teuta Haxhiu, ka thënë se qe gjashtë vite dialogu me Serbinë po zhvillohet pa objektiva të qarta dhe problemi kryesor sipas saj, qëndron tek udhëheqësit kosovarë. Ajo ka vlerësuar se duhet të analizohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri me tani dhe më pas të shihet se si duhet vazhduar ky dialog. Po ashtu ka thënë se Serbia duhet të kushtëzohet deri në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve.

E sa i përket transparencës së këtij dialogu, Haxhiu ka potencuar se ky proces nuk është aspak transparent pasi që marrëveshjet diskutohen vetëm pas nënshkrimit.

Po ashtu panelistët ju përgjigjen interesimit të qytetarëve lidhur me shumë çështje që lidhen me procesin e dialogut dhe temat e reja të cilat qytetarët vlerësuan se duhet të hapen në kuadër të këtij dialogut si: çështja e të pagjeturve si dhe kompensimet e dëmeve të luftës.

 

Ky debat organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.