Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot tryezën diskutuese me temë “Organizimi i Qendrave Kulturore në Diasporë”.
Në hapje të kësaj tryeze është prezantuar një hulumtim parlamentar nga Liza Gashi nga OJQ Germin, që ka analizuar organizimin e qendrave kulturore të shteteve që kanë diasporë më të madhe. Po ashtu janë prezantuar edhe praktikat që kanë ndjekur shtetet si Armenia, Gjermania, Irlanda, Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar rreth funksionimit të qendrave të ngjashme.
Fitore Pacolli, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme ka theksuar se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me diasporën. Specifikisht sa i përket qendrave kulturore ka thënë se duhet të mendohet një model shumë i mirë, që funksionon mirë duke mos e shkëputur shtetin nga to.
Isni Kilaj, zëvendësministër i Ministrisë së Drejtësisë, ka theksuar se sa i përket çështjes së organizimeve kulturore të diasporës shqiptare ka shumë probleme të trashëguara me dekada. Përderisa ka thënë se Kosova si shtet i ri nuk ka pasur mundësi të bëjë shumë sipas tij, Shqipëria nuk ka arritur që të bëjë punë të duhur në të kaluarën dhe se aktualisht të dyja vendet janë vonuar në këtë drejtim. “Tash kemi Ministri të Diasporës të dyja vendet dhe jemi në rrugë të mbarë që të kemi një Ligj të përbashkët për diasporën”, ka shtuar Kilaj.
Pjesë e këtij diskutimi ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile të cilët u pajtuan se ngritja dhe funksionimi i mirëfillit i qendrave të tilla është jetik për fuqizimin e raporteve me diasporën por edhe promovimin e Kosovës nëpër botë. Po ashtu u theksua se kjo çështje duhet të trajtohet me më tepër prioritet nga institucionet.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit për përkrahje të hulumtimeve parlamentare në Kosovë, që mbështetet nga USAID. Qëllimi i këtij projekti është që përmes hulumtimeve parlamentare të rritet cilësia e ligjeve në vend.