Publikohet raporti për sinjalizimin në ndërmarrjet publike lokale

Tryeza 12.12.2025
Në përmbyllje të aktiviteteve të Javës Kundër Korrupsionit dhe Integritetit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, mbajti një tryezë diskutimi me ç’rast u publikua raporti “Ndërmarrjet Publike Lokale përballë kërkesave të Ligjit për Sinjalizimin”.
Në hapje të tryezës, autori i raportit, Florent Spahija, prezantoi gjetjet kryesore dhe sfidat e evidentuara gjatë analizës. Ai theksoi se, ndonëse është kontaktuar një numër i madh ndërmarrjesh publike lokale, vetëm një pjesë e tyre kanë kthyer përgjigje lidhur me çështjet e sinjalizimit. Një nga shqetësimet kryesore të raportit ishte mungesa e transparencës, përfshirë mospasjen e uebfaqeve funksionale, si dhe mospublikimin e emrave të zyrtarëve përgjegjës për trajtimin e sinjalizimit.
Spahija theksoi gjithashtu se shumë ndërmarrje nuk kanë organizuar as trajnime e as sesione informuese për punëtorët lidhur me rëndësinë e sinjalizimit dhe mbrojtjen ligjore të sinjalizuesve. Në vazhdim, u prezantuan edhe rekomandime konkrete si për ndërmarrjet publike lokale, ashtu edhe për komunat që janë pronare të këtyre ndërmarrjeve.
Pas prezantimit të raportit, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – si një mekanizëm thelbësor në parandalimin e korrupsionit. Ai rikujtoi se Agjencia ka mandatin ligjor për të monitoruar dhe kontrolluar rregullisht institucionet publike, përfshirë ndërmarrjet publike lokale, me qëllim që të sigurohet funksionimi i duhur i kanaleve të sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.
Buleshkaj veçoi edhe faktin se ndërmarrjet publike lokale në komunat e vogla shpesh përballen me mungesë kapacitetesh njerëzore dhe profesionale, duke mos pasur staf juridik apo personel të specializuar që mund ta marrë rolin e zyrtarit për trajtimin e sinjalizimit.
Tryeza mblodhi së bashku përfaqësues të organizatave joqeveritare, drejtues e zyrtarë të ndërmarrjeve publike, ekspertë të fushës dhe qytetarë të interesuar. Pjesëmarrësit ndanë perspektivat e tyre mbi sfidat praktike të zbatimit të ligjit, rëndësinë e ndërgjegjësimit institucional dhe domosdoshmërinë e forcimit të transparencës në nivel lokal.
Raportin e plotë e gjeni këtu