Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë takimit të sotëm, të 159-të, miratoi njëzëri kodin e ri të etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë. Kodi u përpilua nga ekipi i prokurorëve holandez, në kuadër të programit “Promovimi i Integrititetit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës dhe i zbatur në partneritetin e Qendrës Holandeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor (CILC) me dy organizata lokale të shoqërisë civile FOL dhe KDI.
Bahri Hyseni, kryetari i Komisionit për Çështje Normative i KPK-së, gjatë prezentimit të draft kodit para Këshillit Prokurorial, numëroi gjashtë shtyllat kryesore mbi të cilat është përpiluar teksti i kodit të ri: pavarësinë, paanshmërinë, integritetin, llogaridhënien, transparencën dhe profesionalizmin. “Këto paraqesin gjashtë vlerat themelore nga të cilat prokurori, udhëhiqet gjatë karrierës së tij profesionale, por njëkohësisht kujdeset që t’i respektoj edhe jashtë zyrës së tij – në jetën e tij private” – e përmbylli paraqitjen e tij z.Hyseni.
Blerim Isufaj, Kryesuesi i KPK-së falenderoi Qeverinë Holandeze për mbështetjen e vazhdueshme për sistemin prokurorial të Kosovës si dhe organizatat e shoqërisë civile (FOL dhe KDI) që mundësuan zbatimin me sukses të aktiviteteve të parapara me këtë projekt.
Projekti “Promovimi i Integrititetit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë” do të vazhdojë të mbështesë Prokurorinë e Shtetit të Kosovës. Në dy muajtë e parë të vitit të ardhshëm, janë planifikuar trajnime për etikën të bazuara në kodin e ri të etikës. Trajnimet do të mbahen nga trajnerë holandezë. Gjithashtu, gjatë muajit shkurt, janë paraparë edhe trajnime për komunikim me publikun dhe media në të cilat do të prezentojnë ekspertë të fushës dhe gazetarë holandezë të specializuar për të mbuluar gjyqësorin.