Në kuadër të përkrahjes së komisioneve parlamentare me konsultime publike, KDI në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale organizoi dëgjim publik për Projekt-ligjin për Shërbimet Mjekësore Emergjente. Një numër i konsiderueshëm profesionistësh dhe përfaqësues nga Qendrat Emergjente të Spitaleve Rajonale, QKUK, Policia e Kosovë, OJQ të cila trajtojnë fushën e shëndetësisë si dhe nga Ministria e Shëndetësisë, që është edhe vetë sponsoruese e këtij projekt-ligji diskutuan lidhur me ndryshimet të cilat ka për qëllim t’i sjell ky ligj.
Drejtorët e tetë Qendrave Emergjente të Spitaleve rajonale treguan sfidat praktike dhe ligjore që paraqiten në qendrat e tyre rajonale. Dr. Jeton Vorfi nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Gjakovës përmendi tri sfidat që paraqiten në këtë qendër: resurset humane të pamjaftueshme, mungesa e hapësirës dhe mungesa e sigurisë. Dr. Enver Murtezi nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal të Gjilanit tha se duhet të rishikohet se a duhet të përfshihet Traumatologjia në Shërbimet Mjekësore Emergjente. Ndërsa Muhamedali Kodra nga Shoqata PRAK tha se ambulanca ajrore, përmes helikopterit, që përmendet në përkufizimet e projekt-ligj, nuk është përmendur në ligj. Për më tepër, drejtori i QKUK-së, Z. Curr Gjocaj tha se ky ligj parasheh edhe formimin e një institucioni të ri në nivel vendi që parashihet të kushtojë 30 milion euro, ndërsa janë alokuar vetëm 2.5 milion Euro.
Anëtarët e pranishëm të Komisionit të Shëndetësisë falënderuan profesionistët për prezencën dhe sugjerimet e tyre dhe u zotuan se do ti shqyrtojnë në grup punues të gjitha këto sugjerime.
Ky aktivitet u bë në kuadër të aktiviteteve të ndërmarra nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale. Aktivitetet që KDI ka ndërmarrë për të përkrah Komisionet Parlamentare me hulumtime legjislative dhe diskutime për mbikëqyrjen e reformave të rëndësishme të miratuara kohë më parë përkrahen nga USAID.