Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Pas takimit të së dielës në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, kreu i shtetit të Kosovës z. Hashim Thaçi duhet t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të informojë deputetët rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe për hapat e mëtutjeshëm të këtij procesi për të cilat është dakorduar në takimin e mbajtur.
Procesi i dialogut vazhdon të jetë jo-transparent. Ende nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë faza finale e dialogut, cilat tema do të jenë pjesë e këtyre diskutimeve, çfarë pritet të arrihet në përfundim të tij dhe mbi të gjitha si do të garantohet gjithëpërfshirja politike dhe respektimi i mandatit kushtetues të institucioneve të vendit.
KDI vlerëson se është jetike për vendin që faza finale të garantojë gjithpërfshirjen politike.
Institucionet shtetërore duhet të kryejnë obligimet e tyre kushtetuese dhe të respektojnë komunikimin në kuadër të kompetencave institucionale, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur interesin shtetëror dhe jo për të minuar atë.
KDI qëndron prapa kërkesës së saj publike drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 29 maj 2018 për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi fazën e re të dialogut. Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i tij nuk ka mbajtur asnjë seancë me pikë të rendit të ditës të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi. Kuvendi nuk ka më kohë për të humbur për të miratuar rezolutën për të ardhmen e këtij procesi.
Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësi në këtë proces, duke definuar pritshmëritë, dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës të cilat në asnjë moment nuk do të cenojnë integritetit territorial të Kosovës dhe funksionimin e sistemit unitar duke garantuar përfaqësimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare si të barabartë me secilin shtet tjetër. Institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojë që bisedimet me Serbinë të vazhdojnë pa arritjen e një konsensusi politik dhe pa platformë shtetërore.
KDI iu bënë thirrje edhe partive politike që të angazhohen për këtë proces shtetëror duke luajtur një rol më konstruktiv dhe më të përgjegjshëm, duke lënë mënjanë politikat ditore dhe kalkulimet politike.