KDI ka përmbyllur sot ciklin e takimeve publike mes qytetarëve dhe deputetëve që u zhvilluan në 11 komuna të Kosovës.
Mbi 500 pjesëmarrës u bënë pjesë e tyre, duke ofruar një sërë rekomandimesh për të zgjedhurit e tyre që lidhen me rritje të transparencës, përfaqësim më të mirë të interesave të qytetarëve si dhe investime më të mëdha kapitale nëpër komuna.
Takimi i fundit, i njëmbëdhjeti, u mbajt sot në Kamenicë, pjesë e të cilit ishin deputetët: Shemsi Syla (LVV), Ahmet Isufi (AAK), Besa Baftiu (PSD).
Banorët e kësaj komune theksuan nevojën për takime më të shpeshta me deputetët.
Ata adresuan një sërë çështjesh si reforma në arsim, mungesa e repartit të gjinekologjisë, buxheti i vogël për Komunën e Kamenicës dhe për çështje të tjera me rëndësi për këtë komunë si dhe për sfidat me të cilat qytetarët ballafaqohen në përditshmëri.
KDI, të gjitha rekomandimet e dala nga përballjet qytetarë-deputetë, do t’i paraqes në modulin e veçantë “Iniciativat Qytetare”, i cili është pjesë e platformës www.votaime.org dhe të njëjtat i ka vizuelizuar dhe shpërndarë për opinionin publik edhe përmes rrjeteve sociale.
Por më e rëndësishmja është se KDI, do të monitoroj nëse këto rekomandime do të adresohen nga deputetët në Kuvendin e Kosovës dhe nëse do të arrijnë të realizohen kërkesat qytetare nga Kuvendi përkatësisht kjo legjislaturë.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë” i financuar nga Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara (#UNDEF).