Përmbledhje nga puna e komunave të regjionit të Prizrenit

01.01.2011

Prizren, 17 qershor 2010 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka hartuar raportin përmbledhës nga puna e komunave të Regjionit të Prizrenit në fushën e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, transparencën e pushtetit lokal, proceset buxhetore nëpër komuna, decentralizimin e pushtetit dhe raportet në mes qeverive lokale e kuvendeve të komunave.

Ndër të gjeturat kryesore të këtij raporti është çështja e raportimit të kryetarëve të komunave pranë kuvendeve të komunave përkatëse. Kryetari i komunës është i obliguar që së paku një herë në gjashtë muaj të raportojë para kuvendit për situatën ekonomike-financiare të komunës si dhe për zbatimin e planeve investuese të komunës. Asnjëri nga kryetarët e gjashtë komunave të Regjionit të Prizrenit deri në më tani nuk e ka kryer një obligim të tillë ligjor.

Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe ai i Rahovecit ende nuk ia kanë dërguar kuvendeve të komunave përkatëse as raportet fiskale për periudhën Janar-Mars 2010 obligim i cili del nga Neni 45.4 i Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Në bazë të kësaj, edhe pse baza ligjore për rregullimin e raportit kuvend ? qeveri len shumë për të dëshiruar, megjithatë edhe ato pak pika që i rregullojnë këto relacione, në shumicën e rasteve nuk gjejnë zbatim të nevojshëm.

Gjatë tre mujorit të parë në Komunën e Prizrenit ka ardhur në shprehje menaxhimi joefikas i buxhetit të kësaj komune me ç`rast janë shpenzuar vetëm 8.34% të buxhetit të paraparë për tërë vitin 2010 duke shënuar kështu nivelin më të ulët të realizimit të shpenzimeve në Regjionin e Prizrenit, ndërsa janë inkasuar vetëm 15.35% të të hyrave vetanake të planifikuara për gjithë vitin 2010.

Krahas kësaj, Komuna e Suharekës ka arritur nivelin më të lartë të inkasimit të të hyrave të planifikuara për këtë vit duke arritur të inkasojë 22.89% të të hyrave të planifikuara për gjithë vitin 2010. Ndërkaq që Komuna e Malishevës është treguar më efikasja në shpenzim të buxhetit të planifikuar për gjithë vitin 2010 duke arritur në 20.24% të realizimit të shpenzimeve.

Rekomandimet:

  • Organet legjislative duhet të rrisin angazhimin e tyre në drejtim të kontrollit të organit ekzekutiv në komunat përkatëse;
  • Kryetarët e komunave duhet t`i përmbushin obligimet e tyre ligjore për raportim në kuvendet e komunave përkatëse;
  • Komunat e Regjionit të Prizrenit duhet të rrisin angazhimet e tyre për të pas një menaxhim më efikas të buxheteve komunale.

Ky raport është përgatitur në kuadër të projektit ?Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë? të mbështetur nga Olof Palme Center (OPIC)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është OJQ vendore e cila ka për mision të ofrojë mbështetje në zhvillimin e demokracisë përmes fuqizimit dhe ndikimit të sektorit joqeveritar në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve qeveritare.

Shkarkoni analizën këtu