Qeveria e re ka obligime të ndryshme, në sferën vendore e ndërkombëtare, një numër i madh i të cilave duhet të kalojnë edhe në Kuvend të Kosovës. Megjithatë, ky Kuvend duhet që një nga prioritetet e veta kryesore t’a ketë rregullimin e sistemit zgjedhor që atë t’a bëjë sa më përfaqësues. Kosovës i duhet një reformë zgjedhore e mirëfilltë, që buron nga institucionet vendore, që është gjithëpërfshirëse dhe që mëton ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe përfaqësimin adekuat të qytetarëve e jo interesat e ngushta të liderëve politik dhe njerërzve të tyre të afërt.
Sistemi zgjedhor në Kosovë është tentuar të përmirësohet disa herë. Iniciativat për këto ndryshime kanë ardhur në kohëra të ndryshme e për qëllime të ndryshme duke filluar nga 2004 kur një iniciativë nga shoqëria civile, Reforma 2004, kishte për qëllim kryesor krijimin e zonave zgjedhore që do të rezultonin në forcim të lidhjes deputetë-qytetarë. Kjo çështje u riaktualizua pas zgjedhjeve të vitit 2010 ku si shkas për manipulimet në ato zgjedhje u zotua për një reformë rrënjësore në sistemin zgjedhor. Përkundër punës së madhe, shpenzimeve financiare dhe përkrahjes së bashkësisë ndërkombëtare, reforma zgjedhore asnjëherë nuk u bë. Përkundrazi, ndryshimet që bëheshin jo rrallëherë sjellnin konfuzion tek qytetarët (p.sh. ndryshimi i numrit të kandidatëve që mund të votojë një votues, brenda subjektit politik nga dhjetë në pesë kandidatë apo në zgjedhjet lokale një kandidat një votë).
Është shumë e qartë se reforma zgjedhore në Kosovë ka dështuar për shkak të mungesës së vullnetit politik të liderëve dhe klikave të tyre të afërta. Këta liderë dhe grupet rreth tyre kanë mbajtur peng procesin e reformës zgjedhore vetëm e vetëm sepse nuk e kanë ditur se cili variant do t’u shkonte më shumë për shtati interesave të tyre të ngushta personale. Është e natyrshme që faji kryesor për dështimin e reformës zgjedhore bie mbi dy partitë kryesore në vend, e para që kishte mundësinë si partia më e madhe dhe bartëse e qeverisë të shtyjë përpara procesin e reformës zgjedhore, dhe e dyta sepse në momente të caktuara kishte mundësinë që të kushtëzojë përkrahjen e proceseve të caktuara me bërjen e reformës zgjedhore.
Sidoqoftë, nuk është koha që të merremi me atë se pse dështoi reforma në të kaluarën. Evidente është që ky sistem zgjedhor nuk po duket se po prodhon përfaqësues që kanë lidhje të forta me votuesit, kjo dhe i bën më pakë llogaridhënës, njëherit dhe më pak përfaqësues.Andaj, përpjekjet për reformim duhet të vazhdojnë që të bëjmë një sistem zgjedhor më përfaqësues. Tani duhet të mendojmë dhe të ndërmarrim hapa konkret për t’a bërë atë dhe jo të presim deri në momentin e fundit dhe të themi që tashmë nuk ka kohë të mjaftueshme dhe të bëjmë improvizime, sikur deri me tani.
Kësaj radhe iniciativa për reformë të sistemit zgjedhor duhet të vijë nga vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe jo të presin nga qeveria që të sjell ligjin zgjedhor për ndryshim. Nëse pritet nga qeveria normalisht që reforma zgjedhore nuk do të jetë prioritet dhe vështirë që do të ndodhë. Shoqëria civile ka ofruar mjaft opsione dhe alternativa që duhet të shërbejnë si bazë për inicimin e këtij diskutimi.
Për shkak të rëndësisë që ka reforma zgjedhore, Kuvendi duhet të krijojë një komision ad hoc vetëm për këtë çështje dhe ky komision duhet të udhëhiqet nga opozita. Është esenciale që procesi i reformës zgjedhore të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent. Në këtë proces duhet të jenë të përfshirë edhe shoqëria civile, mediat, njohës të procesit zgjedhor dhe institucione tjera relevante. Kur themi gjithëpërfshirje nuk nënkuptohet vetëm pjesëmarrja fizike e akterëve por edhe marrja në konsideratë e rekomandimeve të tyre. Mbështetja e organizatave ndërkombëtare do të ishte e mirëseardhur në një proces të tillë, por jo deri në atë masë që i tërë procesi i reformës të menaxhohet nga ta, siç edhe ka ndodhur në disa raste në të kaluarën.
Të gjitha parakushtet për një reformë të mirëfilltë zgjedhore ekzistojnë. Ka kohë të mjaftueshme dhe brenda koalicionit qeverisës është një parti e cila më herët ka qenë në opozitë dhe e di shumë mirë rëndësinë e reformës zgjedhore. Prandaj kjo parti, duke e ditur se sa e vështirë ka qenë që si opozitë të shtyjë më herët përpara reformën zgjedhore, tani, në rolin e pozitës duhet të jetë shtytëse e këtij procesi ose së paku të krijojë kushte që reforma të ndodhë. Për më tepër, në Kuvendin e tanishëm ka deputetë që kanë qenë më herët pjesë e shoqërisë civile dhe të zëshëm në kërkesat e tyre për reformë zgjedhore. Ata, tani do të kenë edhe fuqi vendimmarrëse, prandaj pritjet që ata do të jenë aktiv në këtë drejtim janë të mëdha. Në këtë proces një rol të madh duhet t’a ketë edhe shoqëria civile e cila do të mund të jepte opsione dhe rekomandime për çështje të ndryshme të reformës zgjedhore.
Që reforma zgjedhore të ndodhë, duhet një guxim dhe përkushtim i deputetëve dhe akterëve tjerë relevant. Së paku në fillim të kësaj legjislature, shihet që ka deputetë me tendencë për të mos ndjekur verbërisht vijën partiake dhe kjo është një mundësi e mirë që duhet shfrytëzuar edhe për reformën zgjedhore. Dikush duhet të marrë iniciativën dhe ta hap çështjen e reformës zgjedhore në Kuvend, dhe nëse ajo injorohet, kjo çështje duhet të përsëritet në vazhdimësi. Ky Kuvend, duhet dhe e ka mundësinë që nëse për asgjë tjetër të mbahet mend si Kuvendi që ka bërë një reformë të mirëfilltë zgjedhore.
(Autori ka qenë kordinator i Sekretariatit të rrjetit të OJQ-ve Demokracia në Veprim, tani vijon studimet master në Administratë Publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.)