25 janar 2010, KDI ka organizuar një TV debat me deputetë e rajonit Dukagjinit. Tema e debatit ka qenë ?Puna e Deputetëve të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e tretë? dhe është mbajtur në televizionin lokal, TV Syri. Pjesëmarrës në këtë debat ishin deputetët: Safete Hadërgjonaj (PDK), Armend Zemaj (LDK), Riza Smaka (AKR) dhe Jetmir Bakija nga Shoqëria civile.
Deputetët e pranishëm e vlerësuan punën e tyre si shumë të dobishme në përfaqësimin e drejtë të interesave dhe preokupimeve të qytetarëve të rajonit të Dukagjinit në Kuvendin e Kosovës.
Safete Hadërgjonaj dhe Armend Zemaj duke e lavdëruar punën e kësaj legjislature, kanë vlerësuar se Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj periudhe ka nxjerrë një numër shumë të madh të ligjeve dhe kjo legjislaturë njihet edhe si legjislaturë e pavarësisë së Kosovës si dhe e krijimit të disa institucioneve shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetëndërtimin e Kosovës. Në anën tjetër, deputeti Riza Smaka, potencoi se Kuvendi i Kosovës ka mundur të bëj edhe më shumë në kryerjen e obligimeve të tij kushtetuese dhe akuzoi Qeverinë e Kosovës se po e kontrollon punën e Kuvendit të Kosovës.
Jetmir Bakija përfaqësues nga shoqëria civile ngriti shqetësimin e tij se Kuvendi i Kosovës në vitin 2009 e ka realizuar vetëm 37% Programin e tij të Punës dhe kjo flet më së miri për suksesin e këtij institucioni. Ai po ashtu tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë krijuar një hendek në komunikimin e drejtpërdrejt me qytetarët apo rajonin prej nga vijnë. Ai shtoi se mungon komunikimi i domosdoshëm mes zgjedhësve dhe të zgjedhurve andaj është shumë e nevojshme që kjo qasje të ndryshojë në mënyrë që qytetarët e rajonit të Dukagjinit ta ndjejnë veten të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Rajoni i Dukagjinit e me theks të veçantë Gjakova ndër problemet kryesore që i ka kanë të bëjnë me privatizimin e ndërmarrjeve publike, punësimin e të rinjve, andaj përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në adresimin e këtyre problemeve tha më tej z. Bakija.
Deputetët pothuaj unanimisht u pajtuan se është e domosdoshme hapja e zyrave për deputetë në qytetet prej nga vijnë në mënyrë që ata të njihen drejtpërdrejt me hallet dhe problemet e qytetarëve dhe ato ti artikulojnë në institucionin më të lartë përfaqësues të vendit tonë.