OJQ-TË KËRKOJNË NGA KOMUNA E PRIZRENIT, SUHAREKËS, FERIZAJT, LIPJANIT, PODUJEVËS DHE ISTOGUT NDËSHKIM PËR MOS PËRMBUSHJEN E REKOMANDIMEVE TË AUDITORIT

Konferenca për media 09.01.2019

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), dhe OJQ-të partnere YAHR, ISDY, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni, në partneritet me USAID në kuadër të aktivitetit për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse, përmes një konference për media shpalosën të gjeturat kryesore të raportit “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm”. Ky raport analitik, pasqyron rekomandimet e  Auditorit të Përgjithshëm lidhur me menaxhimin e parasë publike. Raporti gjithashtu analizon edhe implementimin e rekomandimeve të auditorit nga gjashtë komunat vijuese: Prizren, Suharekë, Ferizaj, Lipjan, Podujevë dhe Istog, për vitin 2017.

Diana Metushi Krasniqi nga KDI, theksoi OJQ-të partnere kanë studiuar raportet  e auditorit nga perspektiva e menaxhimit të parasë publike, me fokus në të gjeturat që lidhen me prokurimin publik. Ajo tha se edhe pse jo të gjitha gjetjet e Auditorit janë të kualifikueshme që të hetohen nga prokuroria, është e nevojshme që të instalohen mekanizma të cilët sigurojnë zbatimin e rekomandimeve, qoftë si masa disiplinore apo masa administrative. Më tutje ajo shtoi se “në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), janë një numër i gjetjeve të cilat përsëriten nga viti në vit, e që shpërfaqin problemet lidhur me planifikimin dhe shfrytëzimin e buxhetit, menaxhimin e subvencioneve, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, procedurat e prokurimit, dhe faturimin apo pagesat për mallra dhe shërbime dhe investime kapitale.”

Bekim Krasniqi nga organizata YAHR theksoi se “raportet e auditorit për periudhën 2015-2017 për komunën e Ferizajt, theksojnë dobësi në qeverisje në raport me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial”. Këto gjetje, të cilat vazhdojnë të  përsëriten në të gjitha raportet e ZKA që nga viti 2015 tregojnë për probleme sistematike përderisa niveli zbatimit të rekomandimeve nga vitet paraprake vazhdon të jetë i ulët. Gjetjet sistematike potencojnë dobësi në kontrollet menaxheriale dhe menaxhimin e rrezikut, moskryerje të obligimeve (qirasë) nga shfrytëzuesit e pronës komunale, moskryerje të obligimeve (taksës) nga bizneset, mos përdorim të E-pasurisë dhe mungesë të depos. Ndërsa sa i përket komunës së Lipjanit, z. Krasniqi theksoi se problemet sistematike me të cilat përballet komuna e Lipjanit sipas raporteve të auditimit nga ZKA-ja janë: niveli i ulët i verifikimit të pronave të regjistruara, parregullsitë në kalkulimin e të hyrave, parregullësitë në menaxhimin e tatimit në pronë, hyrja në obligime kontraktuale në mungesë të zotimit të fondeve, dobësi në menaxhimin e kontratave si dhe probleme me obligime te papaguara.

Erolina Morina nga organizata ISDY theksoi se raportet e auditorit për komunën e Prizrenit për periudhën 2015-2017, reflektojnë dobësi sistematike në menaxhimin e kontratave për investime kapitale, lidhjen e kontratave publike jashtë planit vjetor të prokurimit në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe kosto shtesë dhe sfida buxhetore për komunën si rezultat i planifikimit jo të saktë të projekteve. Këto devijime nga planifikimet fillestare mund të rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara dhe arritjen e objektivave të përcaktuara. Përpos detyrimeve të rregullta, komuna përballet edhe me detyrime kontingjente, të cilat në fund të vitit 2017 kanë arritur vlerën prej 1,225,000€. Ndërsa për sa i përket komunës së Suharekës, znj. Simitçiu theksoi se “problemet sistematike në raportet e auditorit janë: parregullsitë në kalkulimin e të hyrave për tatimin në prone dhe të hyrave tjera; menaxhimi jo i duhur i pasurisë; realizimi i ulët i buxhetit për investime kapitale; dhe mangësitë në menaxhimin e detyrimeve ndaj furnitorëve”.

Abedin Imami nga organizata Syri i Vizionit theksi se në Komunën e Istogut, problemet të cilat përsëriten nga viti ne vit në mënyre sistematike janë problemet me menaxhim të aseteve, procedurat e prokurimit dhe sigurimin e mekanizmave kontrollues të cilësisë dhe llogaridhënies”. Më tutje, ai shtoi se “Pasqyra e obligimeve ndaj furnitorëve në fund të vitit 2017 është prezantuar 122,635€. Këto janë bartur për t’u paguar në vitin 2018. Hyrja në obligime kryesisht ka ndodhur për shkak të kontrolleve jo të mira sa i përket raportimit dhe pagesës së obligimeve.”

Shpend Sopa nga organizata Ekovizioni theksoi se “Ekzistojnë disa mangësi sa i përket qeverisjes brenda komunës së Podujevës, veçanërisht në lidhje me mos zbatimin e plotë të rekomandimeve nga viti paraprak, realizimin e buxhetit dhe kontratave të nënshkruara në mungesë të buxhetit, ndarja e prokurimeve dhe përdorimi i procedurave minimale, si dhe iniciativa modeste për mbledhjen e të hyrave.

Koalicioni i organizatave për monitorimin e prokurimit publik i bën thirrje komunave të fokusohen në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, përmes përmbushjes së rekomandimeve si në vijim:

  1. Kryetarët të komunave të zbatojnë ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, respektivisht të ndërmarrin masa disiplinore, deri te shkarkimi i zyrtarëve financiar për dështimet sistematike të konstatuara nga Auditori i Përgjithshëm.
  2. Kryetarët e komunave të fuqizojnë rolin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm dhe nga udhëheqësit e drejtorive të kërkohet llogaridhënie kundrejt rekomandimeve të lëshuara nga NjAB, dhe ZKA duke përgatitur planet e veprimit me kohë dhe duke ju përmbajtur afateve kohore për zbatimin e këtyre planeve të veprimit.
  3. Në kuadër të sigurimit të kontrollit, në fushat e identifikuara si problematike, të rritet angazhimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të shkeljeve të mundshme, si dhe të rritet niveli i inspektimeve përcjellëse dhe adresuar këto rekomandime në një kohë sa më të shpejtë.
  4. Ministria e Administrimit së Pushtetit Lokal të vendos ndarjen e granteve për komunat në bazë të performancës dhe menaxhimit financiar që konstaton raporti i Auditorit të përgjithshëm,
  5. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të identifikojë mangësitë në sistem dhe të iniciojë ndryshime ligjore që përmirësojnë sistemin aktual të prokurimit dhe adresojnë problemet sistematike lidhur me planifikimin e prokurimeve, ndarjen e prokurimeve në vlera minimale, dhe menaxhimin e kontratave.
  6. Ministria e Financave të rishikojë politikat aktuale me qëllim të parandalimit të hyrjes në obligime të Organizatave Buxhetor pa zotim të mjeteve, si dhe të rishikoj politikat aktuale me qëllim të përmirësimit të situatës me pagesat e pa mbështetura dhe humbjen e parasë publike si pasojë e vonesave në përmbushjen e obligimeve dhe ekzekutimet përmes procedurave përmbaruese.

 

Raportin e plotë mund ta shkarkoni këtu.

Raporti “Menaxhimi i parasë publike në sytë e Auditorit të Përgjithshëm” është zhvilluar nga KDI, ISDY, YAHR, Syri i Vizionit dhe Ekovizioni përmes grantit nga aktiviteti i USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse.

 

Në lidhje me Aktivitetin e USAID-it për komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse

USAID ka krijuar një aktivitet pesëvjeçarë të komunave transparente, efektive dhe llogaridhënëse në Kosovë për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e reformave kundër korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së procesit të prokurimit komunal në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Projekti mbështet OShC-të që i plotësojnë kushtet në krijimin, zbatimin dhe promovimin e ideve, mekanizmave dhe zgjidhjeve inovative që do të kontribuojnë në rritjen e rolit të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për të zvogëluar cenueshërinë e pushteteve lokale ndaj korrupsionit, promovimin e një sistemi të drejtë dhe transparent të prokurimit dhe zbatimin e aktiviteteve të monitorimit që përmirësojnë ofrimin e shërbimeve për qeveritarët.

# # #