#NgaTerreni 2

Takime 01.10.2018

24-29 shtator

#KDI po vazhdon me organizimin e diskutimeve mes qytetarëve dhe autoriteteve lokale nëpër lokalitete të ndryshme, në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve të qeverisjes lokale” që mbështetet nga ambasada britanike në Prishtinë.

Gjatë javës që shkoi u zhvilluan edhe 10 takime, duke ju ofruar mundësinë banorëve të disa fshatrave që të bëjnë prezantimin e çështjeve me prioritet që prekin përditshmërinë e tyre e që do të futën në planet e Komunave për vitin 2019.

#Malishevë

Pagarushë: Takimi në fshatin Pagarushë, mes banorëve të këtij fshati dhe përfaqësuesve nga komuna rezultoi me evidentimin e disa problemeve nga banorët si: infrastruktura rrugore, trotuaret, ndriçimi publik, transporti për nxënës, kanalizimi, etj. Zyrtarët komunal fillimisht informuan të pranishmit mbi planet për investime për këtë vit dhe vitin që po vjen si dhe u zotuan për përfshirjen e disa prej kërkesave të lartpërmendura në planifikime.

#Graçanicë

Preoce: Qytetarët e Preoces në komunën e Graçanicës u mblodhën për një takim me zyrtarë komunal ku patën mundësinë që të prezantojnë kërkesat e tyre kundrejt komunës. Për këta qytetarë, primare mbetet çështja e funksionimit të qendrës kulturore, mungesa e aktiviteteve sociale gjatë muajve të dimrit dhe papunësia. Në diskutim, zyrtarët komunal më pas biseduan rreth mundësive të realizimit të këtyre kërkesave për këta banorë.

Graçanicë: Takimi i radhës në Graçanicë mblodhi qytetarë nga kjo komunë në një diskutim me zyrtarë komunalë ku u bisedua rreth problemeve që ata kanë. Sipas qytetarëve të pranishëm, shqetësime primare për ta mbeten: çështja e qenve endacakë, mungesa e një sistemi të kamerave nëpër rrugë të këtij qyteti, si dhe kundërmimi që vije nga lumi si pasojë e papastërtisë. Zyrtarët komunalë u zotuan për zgjidhjen e këtyre problemeve.

#Kamenicë:

 

Shipashnicë e Poshtme: Për banorët e fshatit Shipashnicë e Poshtme problem kryesore mbeten mungesa e trotuareve, mosfunksionimi i ujësjellësve dhe mësimi parashkollor. Zyrtarët komunal prezent në takim, njoftuan qytetarët mbi planet e komunës dhe mundësitë buxhetore për realizimin e këtyre kërkesave si dhe të tjera prioritete komunale për këtë fshat dhe komunën.

 

Hogosht: Takimi i radhës në komunën e Kamenicës u zhvillua në fshatin Hogosht, ku qytetarët patën mundësi të adresojnë shqetësimet e tyre dhe të dëgjojnë më shumë për planet e komunës nga zyrtarët përgjegjës. Për qytetarët probleme primare janë: çështja e ujësjellësit dhe kanalizimit për të cilat thanë që do të kontribuojnë edhe me mjete vetanake. Një tjetër shqetësim për qytetarët u tha të jetë edhe rruga që shpie ne Shipashnicë të Poshtme, e cila është në gjendje të keqe. Zyrtarët komunalë u zotuan për zgjidhje të këtyre problemeve sipas mundësive që ofron buxheti i planifikuar komunal.

#Shtërpcë:

Vrbeshtica: Në takim me qytetarët në fshatin e Vrbeshticë dhe zyrtarë komunalë të Shtërpcës, u diskutua për problemet që preokupojnë banorët e këtij fshati dhe mundësitë që komuna ka për zgjidhjen e tyre. Për qytetarët çështjet prioritare u thanë të jenë rikonstruktimi i qendrës kulturore, rikonstruktimi i urës lokale Maznikovo, asfaltimi i dy rrugëve Dedina dhe Daloborova, si dhe pastrimi i fushës së lojërave. Një tjetër shqetësim për banorët mbetet papunësia. Zyrtarët komunalë u zotuan për zgjidhjen e këtyre problemeve sipas mundësive që komuna ka, bazuar në planin e punës dhe buxhetin e planifikuar për vitin e ardhshëm.

Shtërpcë – Në Shtërpcë u mbajt një takim me një grup të paorganizuar të qytetarëve të cilët shqetësim kryesor kanë çështjen e procesit të kompleksit banesor social. Sipas këtyre qytetarëve ky proces ka pasur mungesë të transparencës, sidomos në çështjen e përzgjedhjes së personave që përfituan nga ky proces. Pos kësaj, ata u ankuan për kualitetin e dobët të këtyre banesave. Nga zyrtarët komunal prezent u premtua për më shumë transparencë dhe për zgjidhjen e problemeve të paraqitura nga qytetarët.

#Viti:

Novesellë: Gjatë takimit të mbajtur në fshatin Novosellë mes banorëve dhe zyrtarëve komunal u diskutua për mundësitë e zgjidhjes së problemeve që banorët kanë e që lidhen me ujësjellësin, rregullimin e trotuareve si dhe ndërtimin e fushës së sportit. Zyrtarët komunalë prezantuan planet komunale dhe premtuan adresimin e këtyre problemeve dhe rregullimin e tyre.

#Klinë:

Dush: Takim mes qytetarëve dhe autoriteteve lokale është organizuar edhe në fshatin Dush të Klinës ku është diskutuar për shqetësimet që kanë banorët. Banorët shfaqen disa kërkesa, por si me emergjente ishin derdhja e ujërave të zeza që vije nga fshati Sfërrk, që sipas tyre po ua pamundëson punimin në tokat e tyre, shtrimi i rrugës në drejtim të shkollës, rregullimi i rrugëve në disa lagje, dhe furnizim më të mirë me ujë të pijshëm. Lidhur me shqetësimin e ujit të pijshëm, zyrtarët komunal u kanë dhënë premtimin se në vitin e ardhshëm do të rregullohet sistemi. Po ashtu janë zotuar se nga investimet e donatorëve planifikojnë investime të gropave septike dhe pastrim të ujit në dy tri pompa. Përgjigje pozitive u është dhënë edhe për rrugën në drejtim të shkollës.

*****

Koordinatorët e KDI-së në terren po ashtu kanë bërë edhe monitorimin e seancave, mbledhjeve e dëgjimeve publike komunale. Gjatë javës që shkoi janë monitoruar seancat e kuvendeve komunale në Malishevë, Klinë, Dragash, Mamushë, Viti , Mitrovicë, Kamenicë në të cilat është miratuar buxheti.