Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021” në një diskutim të hapur me përfaqësues të KQZ-së, ZRPP-së, të degës së Transparency International në Çeki dhe shoqërisë civile.
Në hapje të këtij diskutimi, Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i KDI-së, tha se pavarësisht progresit që ka shënuar Kosova në shumë fusha, korrupsioni vazhdon të mbetet një sfidë për luftimin e së cilit mungon vullneti nga institucionet dhe partitë politike. Ai shtoi se menaxhimi i financave nga partitë politike promovon sistem politik transparent, dhe kjo bartet në vlerat e institucioneve dhe qeverisë.
Ndërsa, në fjalimin e tij hyrës, Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Pavel Bílek, tha se mbështetja e Transparency International në Çeki dhe qeveria çeke për KDI në fushën e financimit të partive politike tash e disa vite është bërë me qëllim që të ndihmojë institucionet e Kosovës për të rritur transparencën financiare të partive politike dhe kandidatëve, si dhe shprehu gatishmërinë që të ndajnë eksperiencat e shtetit të tyre për të ndihmuar Kosovën në përmirësim të kornizës ligjore në këtë drejtim.
KDI prezantoi raportin “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021”. Në prezantimin e tij, Eugen Cakolli, tha se pas fillimit të periudhës zyrtare të fushatës zgjedhore, KDI ka dërguar një pyetësor elektronik tek kandidatët për kryetar komune, prej të cilëve vetëm 51 sosh janë përgjigjur. Bazuar në deklarimet e kandidatëve që i janë përgjigjur pozitivisht pyetësorit lidhur me fushatën zgjedhore, financimin dhe shpenzimet gjatë saj, vërehet se ekziston një perceptim i njëjtë lidhur me rëndësinë që ka transparenca financiare në raport me votuesit dhe vet qeverisjen. Sa i përket fushatës dixhitale, Cakolli potencoi që 88% e kandidatëve kanë deklaruar që “Facebook” paraqet platformën zyrtare të komunikimit mes tyre dhe qytetarëve gjatë fushatës. U theksua që financimi përmes buxhetit vetanak paraqet një ndër format kryesore të financimit të fushatave nga ana e kandidatëve, tek mbi 90% e kandidatëve. Ndërsa, në kuadër të përkrahjes së ofruar nga subjekti politik, dominojnë mbulimi i shpenzimeve të transportit, ofrimi i burimeve njerëzore, asistenca në shërbime të marketingut, si dhe format tjera të përkrahjes jo-financiare, që përfshijnë vullnetarët, hapësira reklamuese falas dhe performancat falas. Në kuadër të të gjeturave të këtij hulumtimi, ndonëse rregullativa ligjore nuk parasheh raportim financiar individual të kandidatëve, u theksua që 98% e kandidatëve për kryetarë kanë deklaruar se janë ‘pro’ që edhe kandidatët të obligohen ligjërisht që të deklarojnë financat e tyre të fushatës.
Përgjithësisht, të gjithë panelistët dhe pjesëmarrësit e kësaj tryeze rreth rëndësisë dhe nevojës për vendosjen e dispozitave ligjore që e rregullojnë çështjen e transparencës financiare të kandidatëve për kryetarë të komunave në kuadër të Ligjit për financimin e subjekteve politike.
Ky diskutim është organizuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke në kuadër të Programit për Promovimin e Tranzicionit përmes projektit SE.S.TRA. të implementuar në bashkëpunim me Transparency International Czech Republic.