Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar sot diskutimin e tretë online “Viti i Ri, Dialogu i Vjetër?”, ku morën pjesë Agron Bajrami, Miodrag Mili?evi? dhe Bodo Weber, si njohës të dialogut dhe çështjeve të ndërlidhura me të, si dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile.
Në hapje të diskutimit, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, deklaroi që, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, dialogu do të vazhdojë të diskutohet gjatë fushatës zgjedhore dhe do të jetë ndër temat qendrore edhe për qeverinë pasardhëse. Ajo shtoi që gjatë vitit 2020, përveç ndryshimit të dy qeverive, që kishte ndodhur edhe për shkak të mospajtimeve lidhur me çështjen e taksës dhe reciprocitetit, ka pasur zhvillime të rëndësishme në dialog, përfshirë arritjen e marrëveshjes në Uashington për normalizimin ekonomik, si dhe rifillimin e dialogut pas 20 muajsh pezullimi, pas emërimit të Miroslav Lajçak si emisarin e posaçëm të BE-së.
Kryeredaktori i Koha Ditore, Agron Bajrami, fillimisht deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me rrëzimin e qeverisë ka qenë i vonuar dhe është dashur të adresohet qysh në muajin gusht, në mënyrë që vendi të mos hyjë në ndërlikime të mëtutjeshme, edhe në procesin e dialogut. Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit, Bajrami deklaroi që e njëjta mbetet e paqartë sa i përket zbatimit, si dhe nuk ishte gjithëpërfshirëse, finale dhe për njohje të ndërsjellë. “[…] Presioni apo ngutja nga administrata Trump dhe emisarit të tij Grenell që të arrihet një marrëveshje e shpejtë para zgjedhjeve në Amerikë, ka çuar në rënien e Qeverisë Kurti dhe në zgjedhjen e Qeverisë Hoti, në mënyra që edhe atëherë kanë qenë të kontestuara. Tani, kemi rrëzimin e Qeverisë Hoti pasi që është konsumuar nevoja për t’a pasur atë për një marrëveshje që u arrit më 4 shtator në Uashington.” shtoi ai. Në raport me mundësinë e arritjes së një marrëveshje, u tha që marrëveshja nuk ka qenë afër as kur është thënë se është afër, kurse tani duhet shpresuar për një bashkëpunim ndryshe mes administratës së re amerikane dhe BE-së. Gjithashtu, Bajrami potencoi që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndërtohet prej pikave ekonomike deri te pika e raporteve mes dy vendeve, por anasjelltas.
Miodrag Mili?evi?, drejtori ekzekutiv i OJQ AKTIV, foli për rëndësinë e pjesëmarrjes së komunitetit serb në kuadër të dialogut, si dhe faktit që interesat e serbëve lokal nuk janë përfaqësuar në kuadër të këtij procesi. Ai gjithashtu trajtoi pritshmëritë nga rezultatet e marrëveshjeve në përgjithësi, si dhe integrimin e plotë të serbëve përmes arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Në anën tjetër, ai theksoi që pozicionet dhe qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve, dhe qëndrimi i Lajçak se palët duhet t’a definojnë normalizimin, paraqesin një element të rëndësishëm të këtij procesi. Tutje, Mili?evi? rekomandoi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në Prishtinë dhe Beograd, në vend se në Bruksel.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), duke folur për periudhën rreth 3 vite e gjysmë që nga fillimi i procesit të dialogut përfundimtar, deklaroi që ky proces ka qenë i privatizuar nga akterë në të dy vendet si dhe tek faktori ndërkombëtar, duke rrëshqitur edhe në diskutime për shkëmbimin e territoreve. Gjithashtu, ai potencoi që për shkak të mungesës së koherencës në politikat dhe qëndrimet e ndjekura nga akterët ndërkombëtar, nuk kemi arritur rezultatet e dëshiruara. Weber e vlerësoi rolin e emisarit të BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, si jo konstruktiv. Lidhur me rifillimin e dialogut, ai theksoi nevojën e rikthimit të dialogut në binarët fillestar, duke u ndërtuar mbi parime të qarta në frymën evropiane.
Sa i përket rolit të administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Biden, panelistët vlerësuan që pozicioni i tij është shumë i qartë në raport me Kosovën si shtet i pavarur, duke përjashtuar mundësinë e prekjes së kufijve dhe përcaktimin e orientimit euroatlantik të Kosovës si të panegociueshme. Madje, ata vlerësuan që pikërisht pozicionimi i qartë i SHBA-ve do të ndikojë edhe vet BE-ja të ripërcaktojë pozicionet e saj karshi procesit, si dhe e kjo e fundit të marrë përgjegjësinë që i takon për procesin.
Të pranishmit u pajtuan që arritja e një marrëveshje në interval të shkurtër kohor, sidomos për çështje muajsh, është pothuajse e pamundur të arrihet. Faktor që do të luaj rol në këtë drejtim, u tha që është padyshim pandemia, meqë qeveritë do të prioritizojnë luftën ndaj pandemisë, para shkuarjes dhe zhvillimit të bisedimeve në dialog. Sidoqoftë, u tha që asnjëra palë nuk duhet ta shfrytëzoj procesin e dialogut për përfitime politike, siç është bërë deri më tani, por që të orientohen për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, jo domosdoshmërish do të zgjidhë të gjitha çështjet e lidhura me subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Por, u theksua që funksionimi i brendshëm i Kosovës duhet të mbetet prioritet, duke marrë parasysh rastin e Bosnjës – që ka subjektivitet të jashtëm të konsoliduar, por nuk ka funksionalitet të brendshëm.
Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë. Ky diskutim u zhvillua në respektim të plotë të masave të institucioneve relevante për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
Diskutimin e plotë mund t’a ndiqni këtu.