Në Suharekë diskutohet për sfidat e zhvillimit të bujqësisë

01.01.2011

Suharekë, 31.03.2010 – Instituti Demokratik i Kosovës organizoi tryezën me temë ?Sfidat e zhvillimit të bujqësisë në Komunën e Suharekës?, ku është diskutuar për mundësitë e zhvillimit të bujqësisë në këtë vend, si dhe problemet që paraqiten në këtë drejtim.

Në këtë tryezë, e cila kishte karakter të diskutimit të hapur, nga të pranishmit u diskutua mbi arritjen e synimit për zhvillimin e bujqësisë së Komunës së Suharekës, puna e bërë nga qeveria e kaluar komunale dhe qeveria aktuale në drejtim të avancimit të nivelit të zhvillimit bujqësor, ndihmën e institucioneve qendrore dhe organizatave ndërkombëtare në këtë drejtim e të ngjashme.

Zyrtarë të qeverisë komunale, në kuadër të angazhimeve të tyre në drejtim të zhvillimit të bujqësisë në këtë komunë, njoftuan për marrëveshjen e arritur me Agjencinë Austriake të Zhvillimit (ADA) në vlerë prej 2.5 milion eurosh, fonde këto të cilat do të përdoren për stimulim të bujqve, trajnimin e tyre, dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale të organeve komunale për zhvillim të mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë në Komunën e Suharekës.

Të pranishmit në të njëjtën kohë shprehën shqetësimet e tyre me mungesën e mbështetjes më të madhe nga qeveritë komunale për sektorin e bujqësisë për shkak të buxhetit jashtëzakonisht të ulët të sektorit të bujqësisë në kuadër të buxhetit komunal.

Sfidë tjetër për zhvillimin e bujqësisë, sipas pjesëmarrësve të tryezës, ishin edhe shkatërrimi i tokës bujqësore, shfrytëzimi i pakontrolluar i ujit, mungesa e teknologjisë së re, etj.

Në tryezën e cila u mbajt në Qendrën Rinore të Suharekës, të pranishëm ishin Drejtori për Bujqësi i Komunës së z. Bedri Berisha, përfaqësues të subjekteve politike të Suharekës, përfaqësues të fshatrave, të OJQ-ve, bujq dhe gazetarë.

Rekomandimet e dala nga kjo tryezë ishin:

  • Të rritet angazhimi i bujqve me qëllim të zhvillimit të sektorit të bujqësisë;
  • Të realizohen trajnime për bujqit;
  • Të mbrohet nga shkatërrimi toka bujqësore;
  • Të hartohet plan afatgjatë për shpenzimin racional të ujit;
  • Të krijohen zona të posaçme për akumulimin e ujit;
  • Të rritet niveli i prodhimit për njësi të sipërfaqes;
  • Të sigurohet teknologji e re për bujqësi.