Ndotja e ambientit nga ?Ferronikeli? shqetësim madhor për qytetarët e Drenasit

01.01.2011

Drenas, 09 tetor 2009 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të premten në Drenas, tryezën me temë ?Puna e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e tretë?, me qëllim të informimit të qytetarëve për punën e përfaqësuesve të tyre dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. Të pranishmit në këtë tryezë kanë diskutuar për raportet aktuale ndërmjet qytetarëve, deputetëve, organeve lokale dhe shoqërisë civile nga ky qytet.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm dy deputet të Kuvendit të Kosovës të cilët vijnë nga qyteti i Drenasit: Ibrahim Gashi (AKR) dhe Sala Berisha-Shala (PDK), ndërsa në cilësinë e nikoqirit ishte edhe Kryetari i Komunës së Drenasit Nexhat Demaku. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike, OJQ-ve dhe mediave që veprojnë në këtë qytet .

Deputetët gjatë prezantimit të punës së tyre vunë në pah mungesën e komunikimit të drejtpërdrejt me qytetarët dhe vlerësuan si të domosdoshëm konsolidimin e këtij komunikimi me qëllim që përfaqësimi i interesave të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës të jetë sa më dobiprurës. Deputeti Ibrahim Gashi kritikoi ashpër sistemin zgjedhor në Kosovë që sipas tij nuk e obligon deputetin për transparencë, llogaridhënie, sepse deputetët nuk e kanë adresën e votuesve të tyre. Me këtë qasje u pajtua edhe deputetja Sala Berisha-Shala e cila në vazhdim të fjalës së saj vlerësoi lartë punën e Kuvendit të Kosovës në nxjerrjen e ligjeve dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve.

Mendim të kundërt kishin disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile nga qyteti i Drenasit ku kërkuan sqarime nga ana e deputetëve për mosangazhimin e tyre për ndotjen e ambientit që po e shkakton fabrika shumë e njohur në këtë qytet me emrin ?Ferronikel?. Këtij mendimi iu bashkua edhe kryetari i Komunës z.Nexhat Demaku i cili akuzoi deputetët që në asnjë rast nuk kanë kërkuar në Kuvendin e Kosovës që Ministria e Ambientit t?ia marrë licencën, kompanisë e cila e menaxhon këtë fabrikë.

Konkluzionet e dala nga kjo tryezë ishin:

Është e domosdoshme ndryshimi i Ligjit zgjedhor në Kosovë ;
Kërkohet heqja licencës për kompaninë menxhuese të ?Ferronikelit?;
Është e domosdoshme hapja e zyrave për deputetët në komunat prej nga vijnë;
Deputetët që vijnë nga qyteti i Drenasit duhet të jenë më azhur që çështjen e ndotjes së ambientit nga ana e Ferronikelit ta ngritin në Kuvendin e Kosovës si shqetësim madhor për qytetarët e Drenasit;
Ligjet që nxirren nga Kuvendi i Kosovës duhet të jenë në harmoni të plotë me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve;
Është shumë e nevojshme ndërtimi i urave të komunikimit mes qytetarëve dhe deputetëve.