Mbahet tryeza ““Rregulloret komunale dhe perspektiva gjinore”

13.11.2015

Përderisa dy rregullore të rëndësishme komunale janë vënë në dispozicion për shqyrtim publik, më 13 nëntor në Prizren, KDI ka mbledhur në një takim pune Grupin e Grave Asambleiste dhe organizatat e shoqërisë civile për të shqyrtuar këtë legjislacion nga perspektiva gjinore.

Diskutimet e grupit  rezultuan në propozim-amandamente konkrete të cilat do të avansonin  legjislacionin komunal në dobi të fuqizimit të elementit gjinor dhe do të përmirësonin kualitetin të jetës për qytetaret e komunës.

Sa i përket rregullores komunale “për tarifa, ngarkesa dhe gjoba nga veprimtaritë komunale” u rekomandua që të hiqet tërësisht taksa komunale prej 100 Eurosh në vit për gratë dhe vajzat që vijojnë “mësimin për të rritur” me qëllim të nxitjes së tyre për të përfunduar shkollimin  e mesëm dhe aftësimin e tyre për tregun e punës. Mësohet se numri i qytetarëve që kanë braktisur shkollimin e mesëm për arsye të ndryshme është i konsiderueshëm.

Pjesëmarrësit sugjeruan edhe amandamentim e rregullores “për dhënien e dekoratave”. Ato kërkuan që në rregullore të precizohet dhënia e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat me rastin e  ndarjes së dekoratave nga ana e Komunës së Prizrenit.

 

Këto dy rregullore priten të sillen për procedim dhe votim në një nga seancat e rradhës të Kuvendit komunal të Prizrenit.