Kandidatura e Vjosës nuk përbënte risi vetëm në formë, por dhe në përmbajtje, prandaj nuk është mundësi e humbur vetëm për LDK-në por dhe për shoqërinë. Për më tepër u konfirmua një rezistencë e etabluar për rikthim të politikës dhe pushtetit në shërbim për qytetarët.
I.
Reformimet dhe proceset gjithëpërfshirëse nuk vijnë me lehtësi, as atëherë kur dikush shkëlqen dhe ofron vlerë e përmbajtje intelektuale të kohës, përtej kornizave të formësuara. Këtë gjendje të rezistencës ndaj afirmimit të parimeve, konkurrencës dhe garës së barabartë politike, më së miri e dëshmoi procesi zgjedhor në LDK. Partia e cila nuk arriti të tërheq linjën e diferencës nga partitë tjera dhe të jetë modal shprese për shoqërinë.
Një kandidaturë e formësuar nga një mendim ndryshe, ishte nxitje për të vepruar dhe mobilizuar, zëra qytetarësh të cilët nuk dëshironin të ishin indiferent ndaj mundësisë për të afirmuar vlerat e konkurrencës. Por dhe kundër, u mobilizuan qindra burra me mustaqe e pa mustaqe, për të neutralizuar të ndryshmen, për të ruajtur fuqinë e ndikimit, burra të përjargur për të marrë tortën e pushtetit. Burra që duan fuqi e pushtet jo për t`i shërbyer qytetarëve por përmes servilizmit e zhvatjes të përmbushin nevojat dhe ambiciet e tyre. Mu për këtë arsye, ky shkrim se trajton Vjosën si individ, e as LDK-në si një parti, por parimin e konkurrencës politike si virtyt të demokracisë.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme partiake nuk është vetëm një veprim, por është më tepër një proces zhvillimi dhe shënjues për pjekurinë qytetare e intelektuale në funksionalizimin e shtetit. Kandidaturat brenda partisë edhe më tutje nuk vlerësohen si mundësi, por si mjet identifikimi i armikut të brendshëm, e aq më tepër nëse kjo kandidaturë vjen nga një grua.
II.
Kam dëgjuar një rrëfim interesant të Bacës Beqë për një bisedë me një intelektual kroat. Beqa e citonite kroatin: “Ju shqiptarët do zhvilloheni e do e bëni shtetin tuaj, atëherë kur fëmijët tuaj kthehen nga shkolla dhe gjyshja e pensionuar, ja u servon dreken dhe deri sa ai/jo ushqehet, ajo i citon gjëra që ka lexuar gjatë ditës nga shtypi ditor apo nga ndonjë libër”.
Unë i takoj gjeneratës, gjyshërit e të cilës nuk kishin pension. Gjyshërve të mij, ia lexoja shtypin ditor, ia përktheja lajmet shqip-shqip. Shpeshherë ëndërroja të plakesha sa më shpejtë, që të bëhesha gjysh që lexon. Ashtu më shpejtë do të kishim lirinë e veprimit dhe mendimit, dhe do i shpëtonim goditjes së pushtetit dhe shtetit të atëhershëm që na binte mbi kurrizin e familjes.
Sot, gjyshja e fëmijëve të mij e lexon shtypin dhe s`ka nevojë për përkthim shqip-shqip. Gjyshet e fëmijëve tanë, sot përdorin rrjetet sociale, ngasin veturat, kanë provuar udhëtimet me aeroplan, ato përjetojnë të dalit në pension. Por shoqëria jonë ende s`po arrin të instaloi tolerancën, lirinë dhe mendësinë e të qenit të hapur, përkundrejt diskriminimit e të qenit shoqëri e mbyllur dhe jo konkurruese.
Pikërisht ai citat të cilin nuk e kam harruar ende, është shpresë dhe vërtetësi se gratë kanë kontribut të jashtëzakonshëm në përpjekjet për transformimin jo vetëm të imazhit por dhe përmbajtjes të shoqërisë. Vetëm gjatë këtij muaji ato e bënë Kosovën dhe shoqërinë e saj nxitje për çmime e shkrime, të institucioneve e mediave me renome botërore. Arbana Xharra-s ju nda çmimi prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme, Alketa Xhafa-Mripa me kreativitetin e saj për organizimin “Mendoj për ty” e rikthej Kosovën si ngjarjen më pozitive në këto gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit në mediat botërore, Majlinda Kelmendi së bashku me sportistët defiloi me flamurin Kosovar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Evropiane “Baku 2015”.
Mimoza Kusari-Lila, Vjosa Osmani, Vlora Çitaku, Donika Kada-Bujupi, Valdete Daka, Atifete Jahjaga, Flaka Surroi, Arbana Xharra etj janë gratë që sot një qytetar i Kosovës do të duhej t`i votonte pa hezituar. Për dallim nga eksponentët e tyre burra, këto janë lidere të cilat qytetarëve të vetë po i ofrojnë si vlerë në shërbim, kapacitet e tyre intelektuale, integritetin e tyre, guximin dhe energjinë për një shoqëri të hapur ndaj vlerave dhe potencialeve plot diversitet. Për dallim nga kjo listë e grave e vështirë është të bëhet një dhjetëshe e burrave që do e votoja pa hezitim. Duke mos dashur të vendosë kufij të prerë, ndoshta dhe mundë të duket irelevante, por gjithsesi është e krahasueshme. Këto janë gratë të cilat po projektojnë imazh të ndryshëm nga politikat zhvatëse e primitive, drejtë një projeksioni shoqëror me vlerë, integritet e guxim.
Paragjykimet, barrierat, kërcënimet, linçimet brenda subjekteve politike e deri te mediat, e fushatat seksiste nëpër rrjetet sociale, asnjërën nga këto gra nuk i frikësoi nuk i bëri të dorëzohen dhe nuk arriti t`i shantazhoi. Këto gra, e shumë tjera, jo vetëm se treguan vlerat e tyre, por më shumë se iluzion janë realitet dhe domosdoshmëri që shoqëria e ynë të lirohet nga penguesit e zhvillimeve shoqërore në këtë vend, grupacione tani të formësuara si ai i Ali Babës me katërdhjetë hajdutë.
Prandaj LDK-ja humbi përballë Vjosa Osmanit, s`ka humbur Vjosa Osmani. S`do humbasin as ata qytetarë, që sot me respekt dhe vlerë besojnë dhe e shohin votën si fuqi që dëshirojnë ta bartin drejtë njerëzve me integritet, njerëzve që prezantojnë vlerë dhe janë të gatshëm që vlerat e tyre ti shkrijnë në shërbim të qytetarëve.
Konventa e LDK-së, është plotësimi i tablosë që sot mundë të lexojmë dhe shkruajmë për pjesëmarrjen politike qytetare, dhe demokracinë Kosovare.
(Autori është drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës- KDI)