Sipas raporteve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, Kosova vazhdon të përballet me elemente të kapjes së shtetit, përderisa është etabluar praktika e kapjes së bordeve të ndërmarrjeve publike dhe vendosja e njerëzve jokompetentë e partiak.
Ndërmarrjet publike janë institucionet më të kritikuara për performancë të dobët, të cilat operojnë me humbje financiare, e madje disa prej tyre ndodhen buzë falimentimit. Sidoqoftë, të njëjtat po vijojnë të shërbejnë si strehë për akomodimin e njerëzve partiak nga subjektet politike që qeverisin me vendin. Kjo është reflektuar edhe gjatë emërimeve të fundit të bordeve të ndërmarrjeve të rëndësishme si Trepça, Infrakos dhe Posta e Kosovës, ku janë caktuar individë të cilët kanë garuar për poste publike nën logon e LDK-së dhe AAK-së.
Ne vlerësojmë që vendosja e individëve me prapavijë partiake në pozita të përkohshme në këto borde, pa respektuar procedurat e konkursit publik, është në kundërshtim me ligjet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe në kundërshtim me premtimin kryesor që bordet do të çkapen nga politika e do të jenë profesionale, të pavarura dhe me integritet
KDI i bën thirrje Qeverisë që të respektojë ligjin dhe të mbajë zotimet e dhëna për çkapjen e shtetit dhe ndërmarrjeve publike nga politika.