Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e djeshme ka diskutuar për decertifikimin e kandidatëve që kanë probleme me ligjin. Kujtojmë se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2008, parasheh që personat e shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit të mos kenë të drejtë të certifikohen si kandidatë për të garuar në zgjedhje. E drejta për tu zgjedhur e garantuar me Kushtetutë, në këtë rast mohohet për shkak të vendimit të gjykatës.
Nëntë vite nga miratimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ asnjëherë nuk ka bërë verifikime për kandidatët nëse i përmbushin të gjitha kriteret e nevojshme për të marrë pjesë në zgjedhje. Tani po bëhen përpjekjet e para që listat e subjekteve politike të jenë më të pastra. Meqë rast, KQZ ka kërkuar nga Gjykatat themelore të Kosovës që të verifikojë 7068 kandidatë që janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale nëse janë dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit. Prej tyre, gjykatat kanë gjetur se 86 persona janë shpallur fajtor në tri vitet e fundit.
Disa prej anëtarëve të KQZ-së kanë hezituar të marrin vendim për decertifikim të këtyre kandidatëve, duke u thirrur në natyrën e këtyre veprave dhe duke kërkuar që të njëjtat të ndahen në kategori. Pavarësisht nëse mund të ketë vërejtje në ligj, dhe si i tillë ka nevojë për ndryshme përmes reformës zgjedhore që për vite me radhë po zvarritet nga partitë politike, KQZ ka për obligim që ta zbatoj ligjin ashtu siç është dhe të mos kontestoj vendimet e gjykatave. KQZ nuk është institucion ligjvënës që përmes vendimeve të saja të plotësoj dispozitat ligjore, e as institucion gjyqësor që të ri-verifikoj vendimet për veprat penale të kandidatëve. Prandaj i bëjmë thirrje KQZ-së që të respektoj ligjin dhe konform tij të marrë vendim për decertifikimin e të gjithë kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u certifikuar. Qytetarëve të Kosovës duhet ofruar lista të pastra prej kandidatëve që kanë probleme me ligjin.