Prishtinë, 20 janar 2010 – Qendra për Avokim dhe Këshilla Ligjore (QAKL), që funksionon në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) – partner i ?Transparency International?, ka publikuar raportin vjetor të rasteve të korrupsionit të paraqitura në këtë qendër. Sipas këtij raporti institucionet te cilat janë identifikuar si më të prekura nga korrupsioni janë: gjyqësia, edukimi, sektori privat, të drejtat pronësore, prokurimi publik dhe fusha e inspeksioneve/licencave.
KDI u ka bërë thirrje ministrive dhe organeve tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e institucioneve të cilat janë të prekura nga korrupsioni, që të aktivizohen për të marr masa konkrete drejtë luftimit të kësaj dukurie. Merita Mustafa, menaxhere e programit ?Transparenca dhe Anti-korrupsioni?, në konferencën për media, ka thënë se kjo thirrje vlen posaçërisht për sektorin e gjyqësisë, prokurimit publik, privatizimit, inspeksionit, shëndetësisë, dëmet e të cilave janë shumë më të mëdha, ku përpos humbjeve prej miliona eurosh, dëme pëson edhe sundimi i ligjit dhe shëndeti i qytetarëve.
Ndërsa, sa i përket mekanizmave se si zhvillohet korrupsioni në këto institucione, në përgjithësi praktikat më të përhapura janë: mitoja e sidomos ne prokurimin publik, familjarizmi, manipulimet e konkurseve për pranim në punë dhe largimet arbitrare nga puna .
Mustafa ka vlerësuar se bazuar në raportin vjetor të janar 2009-janar 2010 të QAKL-së, sektori i gjyqësisë është më i prekuri me 19 %. Sipas saj, gjyqësia në Kosovë karakterizohet me përhapje të gjerë të korrupsionit, nivel të ulët të zbatimit të reformave, mungesë të rregullimit adekuat ligjor dhe ndërhyrje nga jashtë. ?Një numër i konsiderueshëm i denoncimeve lidhur me korrupsion në sistemin e drejtësisë janë të lidhura me konteste civile, pronësore dhe trashëgimore?, ka thënë ajo.
Ndër praktikat kryesore që janë publikuar, për zhvillimin e korrupsionit në këtë sektor janë: mito, lidhjet familjare dhe ndikimet nga jashtë, zgjidhjet e ndryshme për raste të njëjta, tejzgjatja e procedurave gjyqësore, përshpejtimi i procedurave gjyqësore, mos përmbarimi i vendimeve të gjykatave, mos respektimi i kodit të etikës.
Sektori i dytë më i prekur nga korrupsioni, bazuar në rastet e paraqitura në QAKL, është edukimi. Me këtë rast, Mustafa ka bërë thirrje që bazuar në numrin kaq të madh të raportimeve për korrupsion dhe mekanizmat e formuar të funksionimit të këtij fenomeni, do të duhej të ishin një sinjal për një intervenim nga organet shtetërore. Praktikat kryesore për zhvillimin e korrupsionit në këtë sektor janë: fenomeni i familjarizimit, modifikim i konkurseve për pranim në punë, mito në administratën e shkollave, etj.
Sektori Privat me 11% të rasteve të raportuara, renditet i treti. Praktikat kryesore të zhvillimit të korrupsionit në këtë sektor, të paraqitur nga zyrtarë të KDI-së janë: përdorimi i praktikave korruptive nga kompanitë private në prokurim publik, keqpërdorim fondesh në shoqëri aksionare, largim arbitrar nga puna dhe favorizimi i disa ndërmarrjeve nga organet shtetërore.
Të Drejtat Pronësore, renditen po ashtu lartë në sektorët më të prekur nga korrupsioni, në nivelin prej 11% të rasteve të raportuara në qendër. Proceset e tej-zgjatura gjyqësore të trashëgimisë dhe problemet e shumta që janë në këtë fushë, kanë bërë që kryesisht pronat të mos barten dhe të jenë të evidentuara në posedim të personave që realisht nuk i disponojnë ato prona. Zakonisht ende pronat figurojnë në pronësi të gjyshërve apo stërgjyshërve, apo në raste tjera edhe të jenë stërshitur derisa ende të figurojnë në emër te pronarit fillestar. Praktikat kryesore për zhvillimin e korrupsionit në këtë sektor janë: falsifikimi dokumenteve, fenomeni i mitos tek bartja e pronave, si dhe pamundësia e shndërrimit nga bartës i së drejtës së shfrytëzimit të përhershëm në pronarë.
Edhe Prokurimi Publik me 8% të rasteve të raportuara, është mjaft shqetësues. Praktikat kryesore për zhvillimin e korrupsionit në këtë sektor janë: persona në poste publike me ndikim janë fitues të tenderëve, ndërprerje e kontratës nga organet jo-kompetente, etj.
Inspeksioni/Licenca me 8% të rasteve të raportuara, lidhet kryesisht me fenomenin e mitos, shantazhet e bizneseve dhe pranimin e punëve jashtë standardeve.
Ndërmarrjet publike janë renditur me 5% të rasteve të raportuara, ku procesi i prokurimit publik në këto ndërmarrje publike dhe punësim përmes mitos, vlerësohen mekanizmat më të shpeshtë të zhvillimit të korrupsionit.
Privatizimi me 3% të rasteve të raportuara, është një shqetësim tjetër i qendrës, pasi janë raportuar parregullsi në procedurat e privatizimit (rasti me vetëm një ofertues), mos përmbushje e kushteve të parapara me spin-off special dhe mos ndërmarrje masave nga organet kompetente, dhe dyshimet e rrjedhura për prezencë të aferave të korrupsionit, etj.
Policia dhe shëndetësia, janë ranguar me nga 3, përkatësisht 2 % të numrit të rasteve të raportuara. Ndërkaq shërbimet komunale dhe doganat kanë qenë sektorët me më pas raste të paraqitura, përkatësisht 2 % nga shërbimet publike dhe 1% nga doganat.
Një konkluzion që del nga ky raport ka të bëjë me radhitjen e sektorëve, për të cilat raportimi ka qenë mjaftë i mangët, edhe pse janë subjekt i nivelit të lartë të korrupsionit. Mustafa ka theksuar se kjo, konkretisht ka të bëjë me sektorin e prokurimit publik, privatizimin dhe shëndetësinë, të cilat edhe përkundër faktit se qytetarët e Kosovës i perceptojnë si me të prekurat nga korrupsioni, numri i raportimeve në Qendër ka qenë shumë i vogël.
Arsyeja e numrit kaq të vogël të raportimeve për këta sektor është se ;interesi apo benefiti është i te dy palëve është dy anshëm, i cili ne fund rezulton edhe me fitimin e shumave të mëdha të të hollave, për të cilat asnjëra palë nuk ka ndonjë arsye që të raportoj.
Menaxherja e programit, Merita Mustafa, ka vlerësuar se nuk është shume brengosës fakti se , sa raste te korrupsionit janë duke u lajmëruar në qendër , por fakti se ;korrupsioni po gjen hapësirë për t?u zhvilluar në Kosovë duke e prekur çdo sektor dhe atë pa hasur në asnjë pengesë.
?Ne besojmë se indikatorët e korrupsionit të përmendur gjatë kësaj konference, janë të vlefshme dhe u japin mundësi institucioneve për organizim më të suksesshëm të luftës anti-korrupsion?, ka deklaruar Mustafa.