Përmes një konference për shtyp, KDI, degë e Transparency International për Kosovë, bëri përmbledhjen e aktiviteteve të Qendrës që funksionon në kuadër të kësaj organizate si dhe ofroi rekomandime të ndryshme për institucionet.
Sipas KDI-së, rastet e raportuara nga qytetarët tregojnë se ata janë të gatshëm që të përballen me korrupsionin.
“Nga 35 rastet e raportuara për gjysmë e dytë të vitit, shtatë u takojnë shkeljeve të pretenduara nga ministritë, gjashtë nga komunat, pesë nga gjykatat dhe prokuroritë dhe katër nga AKP. Kurse sipas natyrës, mos zbatimi apo zvarritja e marrjes së vendimeve gjyqësore prin me 10 raste, pasuar nga nëntë raste të raportuara për kurdisje tenderësh. Shkelja e të drejtave të punës dhe nepotizmi gjatë punësimit gjithashtu janë raportuar nga qytetarët nga tre herë secila”, u tha në raportin e KDI-së.
KDI thekson se analiza e statistikave shpërfaq problemet më të shpeshta me të cilat përballen qytetarët, prandaj ka ofruar edhe një numër të rekomandimeve për të përmirësuar situatën.
“Duke parë trendin e vazhdueshëm të shpenzimit të buxhetit përmes “kuotimit”, si formë e prokurimit, rekomandohet që autoritetet kontraktuese, të publikojnë në uebfaqen e KRPP-së apo edhe uebfaqet e tyre shpalljet për këtë lloj aktiviteti. Gjithashtu rekomandohet që të zvogëlohet shuma e lejuar e prokurimit përmes kuotimit nga 10,000 Euro në 5,000 Euro. Kurse lidhur me konfliktin e interesit gjatë punësimit, është vërejtur nevoja e pasurimit të dispozitave normative mbi parandalimin e konfliktit të interesit duke konkretizuar për rastet e funksionarëve të tillë”, thanë në KDI.
KDI, degë e Transparency International për Kosovë, ka inkurajuar qytetarët që rastet si të lartpërmendurat të vazhdojnë t’i denoncojnë përmes numrit të telefonit 0800 77 777 pa pagesë (nga operatori VALA) apo në adresën elektronike [email protected]. Të gjitha thirrjet trajtohen me besueshmëri nga ana e KDI-së dhe mund të mbesin anonime.