Komunikimi dy-kahor zgjedhës të zgjedhur – i domosdoshëm

01.01.2011

Istog, 23 prill 2010. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të premten në Istog, një tryezë me temën ?Puna e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e tretë?, me qëllim të informimit të qytetarëve me punën e të zgjedhurve të tyre si dhe me përfaqësimin e brengave të qytetarëve të Istogut në Kuvendin e Kosovës. Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë diskutuar për nivelin e komunikimit në mes të zgjedhësve dhe të zgjedhurve, duke vlerësuar si të domosdoshëm avancimin e këtij komunikimi.

Panelist në këtë tryezë ishte Naser Rugova, deputet në Kuvendin e Kosovës. Të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe këshilltar të Kuvendit Komunal të Istogut.

Folësit në këtë tryezë konstatuan se deri më tani ka munguar një komunikim i drejtpërdrejt dhe i sinqertë mes përfaqësuesve të zgjedhur dhe elektoratit që i ka votuar ata, si dhe janë drejtuar një numër i madh ankesash lidhur me funksionimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i vetëm i cili i është përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në këtë tryezë nga Istogu, Naser Rugova, ka vlerësuar se ai personalisht ka bërë shumë punë në përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Istogut duke ngritur çështje në Kuvendin e Kosovës qoftë përmes pyetjeve parlamentare apo përmes formave tjera. Ai më pas premtoi para të pranishmëve se gjatë këtij viti në Istog do të ketë investime në vlerë prej 10 milion eurosh si rezultat i angazhimit të tij personal në sjelljen e një investitori të fuqishëm ndërkombëtar për të investuar në komunën e Istogut.

Pjesëmarrësit vlerësuan gatishmërinë e z. Rugova për tu ballafaquar me qytetarët, ndërkohë që shprehen kritika dhe akuza në drejtim të deputetëve të cilët nuk po i përgjigjen ftesave për takim me qytetarët e Istogut duke u shprehur se deputetët e tillë janë larguar nga hallet dhe brengat e atyre të cilët me votat e tyre i kanë sjellë në pozitën e deputetit.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe partive politike që veprojnë në këtë qytet, debatuan për shqetësimet që kanë qytetarët e Istogut, duke u nisur nga papunësia, zhvillimi i bujqësisë, ndërtimin e impianteve për ujërat e zeza, ndërtimin e palestrës sportive etj. Ata kërkuan nga deputeti Rugova që shqetësimet e tilla t?i ngrit në Kuvendin e Kosovës.

Rekomandimet nga tryeza:

  • Është e domosdoshme që të forcohet lidhja e deputetëve me elektoratin;
  • Duhet të hapen zyre për deputetët, zyret e tilla duhen të jenë jo partiake;
  • Kosova duhet të ndahet në disa zona zgjedhore;
  • Qytetarët duhet të jenë më aktiv në rritjen e presionit të tyre ndaj deputetëve;
  • Duhet të rritet besimi ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.