Sot, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi raportin “(Mos)Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në ndërmarrjet publike qendrore të Kosovës”. Gjatë kësaj tryeze, u prezantuan detajet e gjetjeve dhe rekomandimet kyçe të raportit, i cili ofron një pasqyrë të qartë mbi praktikat aktuale të sinjalizimit në ndërmarrjet publike qendrore.
Për më tepër, kjo tryezë shërbeu si një platformë diskutimi në mes të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike qendrore, zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim të caktuar në këto ndërmarrje si dhe përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, Ministrisë së Drejtësisë dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit mbi rëndësinë e implementimin të mekanizmave të sinjalizimit në ndërmarrjet në vend si mjet për luftimin e korrupsionit.
Në fjalët hyrëse të konferencës, Ismet Kryeziu – drejtor ekzekutiv i KDI-së – theksoi që sinjalizimi përbën armën kryesore për luftimin e korrupsionit në kuadër të institucioneve publike, ndërsa ky hulumtim është i një rëndësie të veçantë marrë për bazë faktin se ndërmarrjet publike shpesh përballen me parregullsi dhe ndikim të politikës.
Albesa Humolli nga KDI, theksoi se diskutimi i sotëm po mbahet pikërisht në kohën kur lufta kundër korrupsionit do të duhej të ishte prioritet kombëtar, ndërsa agjendat qeveritare do të duhej ta trajtonin me seriozitet mekanizimin e sinjalizimit. Sipas Humollit, ndërmarrjet publike qendrore në përgjithësi kanë përmbushur kërkesat formale mbi caktimin e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim dhe publikimin e të dhënave të tyre. Megjithatë, ndërmarrjet kanë ngecur në promovimin e sinjalizimit si formë për raportim e parregullsive si dhe në ofrimin e kushteve për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim në ushtrimin e pozitës së tyre. Më tutje Humolli theksoi se këto ngecje në praktikë kanë ndikuar që shumë prej ndërmarrjeve të mos kenë asnjë rast të sinjalizimit të raportuar. Për më tepër, vetë ligji ka nevojë për rishikim mbi mangësitë ligjore dhe praktike të identifikuara nga monitorimet, ndërsa kërkoi që të bëhet një vlerësim ex-post i tij.
Ndërsa, zëvendës-ministri i Drejtësisë, z.Vigan Qorrolli ka vlerësuar se ligji aktual për mbrojtjen e sinjalizuesve është në përputhje me Direktivën Evropiane mbi mbrojtjen e sinjalizuesve, megjithatë, ky ligj ka ngecje serioze në zbatim. Andaj Z.Qorrolli bëri thirrje ndërmarrjeve publike por edhe institucioneve tjera publike që të krijojnë kushte të përshtatshme për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim por edhe për sinjalizuesit në mënyrë që të iu mbrohen të drejtat që ju garanton ky ligj. Tutje, Qorrolli kërkoi që vetë institucionet të promovojnë sinjalizimin dhe të luftojnë stigmën që ekziston rreth sinjalizuesve.
Milot Shala, nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, deklaroi se pajtohet me rekomandimin e KDI-së për rishikim të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, ndërsa theksoi se janë disa çështje të cilat do të duhej të adresohen përgjatë këtij procesi, si çështja e raportimit anonim, çështja kufizimit sa i përket raportimit të brendshëm në institucion, si dhe çështja e kritereve të qarta për pozitën e zyrtarit për sinjalizim.
Gjatë këtij diskutimi u prezantua gjithashtu puna e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës sh.A (KEK), z. Labinot Sadiku, i cili gjatë një periudhe 4-vjeçare ka trajtuar mbi 91 sinjalizime, disa prej të cilave janë referuar prokurorisë për hetim. Z. Sadiku theksoi se përballet me sfida të mëdha në ushtrimin e detyrës, që nga mungesa e kushteve teknike deri tek mungesa e trajnimeve. Megjithatë, ai vuri në dukje se numri i lartë i sinjalizimeve është rezultat i promovimit proaktiv të sinjalizimit dhe trajtimit profesional të raportimeve, duke rritur kështu besimin dhe motivimin e sinjalizuesve për të raportuar parregullsitë.
Kurse, gjatë kësaj tryeze përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike qendrore, kryeshefa të ndërmarrjeve, anëtarë bordesh dhe zyrtarë për sinjalizim pohuan se sinjalizimi është koncept i ri, megjithatë janë të gatshëm të krijojnë infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që të mundësohet raportimi i parregullsive brenda për brenda ndërmarrjeve.
Në fund, KDI kërkon nga ndërmarrjet publike qendrore por edhe institucionet tjera publike që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar zbatim të plotë të ligjit për mbrojtje të sinjalizuesve ndërsa inkurajon sinjalizuesit që të raportojnë korrupsionin dhe të mbrojnë interesin publik.
Raportin e plotë e gjeni në linkun: https://shorturl.at/7vmf7