Komunikatë për Media

13.10.2013

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një konferencë për media, ku ka shpalosur qëndrimet e këtij instituti lidhur me të gjeturat e evidentuara në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2014. Vëmendje të veçantë në këtë konferencë iu kushtua katër fushave që KDI ndjek nga afër: Zgjedhjet, Kuvendin e Kosovës, Qeverisjen Lokale dhe Luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Driton Selmanaj, në hapje të konferencës tha se Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2014 ka paraqitur të dhëna objektive rreth gjendjes në vend. Sa i përket zgjedhjeve Selmanaj tha se përkundër vlerësimit pozitiv mbi mbarëvajtjen e proceseve zhgjedhore, Komisioni Evropian (KE) ka përmendur sfidat që e shoqëruan këtë proces si: vetëdijësimi i votuesve, saktësia e listave etj. Vërjejtje tjetër e adresuar nga KE ishte dështimi i reformimit të legjislacionit zgjedhor. Sipas Selmanajt KDI kërkon që Kuvendi pas konstituimit të filloj me reformimin substancial të legjislacionit zgjedhor, për të përfunduar edhe me draftimin e një Kodi zgjedhor ku do të miratoheshin edhe një sërë ligjesh të cilat mungojnë aktualisht (Ligji për partitë politike, Ligji për KQZ, etj). 

Në këtë raport vërejtje janë adresuar edhe për Kuvendin e Kosovës. Mungesa e kuorumit dhe bojkoteve të seancave plenare, mbikëqyrja e dobët parlamentare e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të pavarura, mos miratimi i Rregullores së re të Punës së Kuvendit, ishin disa nga gjetjet në këtë raport që u adresuan në këtë konferencë. Selmanaj në këtë kontekst tha se Kuvendi duhet të miratoj Rregulloren e re të Kuvendit, duhet të rrit transparencën (Hapjen e mbledhjeve të kryesisë së Kuvendit dhe publikimi i transkripteve të komisioneve parlamentare), duhet reflektoj në balancin gjinor edhe në përbërjen e Kryesisë së Kuvendit, duhet ngrit kapacitetet profesionale në mbështetje të deputetëve gjatë fazave të draftimit dhe amendamentimit të projektligjeve, si dhe të jetë më aktiv në marrjen e nismave legjislative.

Nga ana tjetër Jetmir Bakija duke folur për vlerësimin e qeverisjes lokale, theksoi se Komisioni Evropian i ka dhënë vëmendje mjaft të madhe qeverisjes lokale këtë vit dhe na vjen mirë që i ka konfirmuar disa nga kërkesat tona që kemi pas në vazhdimësi për avancimin e vetë-qeverisjes lokale. Raporti i progresit këtë vit kërkon tri gjëra nga niveli qendror në relacion me komunat: heqjen e sfidave për zhvillim ekonomik lokal, përkrahje financiare më madhe për decentralizim, dhe më shumë udhëzime për proceset e integrimit evropian.

Kurse, thekson katër pika të dobëta të qeverisjes komunale: transparencën e pamjaftueshme në vendimmarrje, planifikimin e dobët të buxhetit komunal që po shkakton realizim të dobët të buxhetit komunal, riorganizim të administratës komunale dhe drejtorive Komunale, si dhe thjeshtësimin e shërbimeve publike komunale. Po ashtu, Raporti i progresit tregon qartë nivelin e pakënaqshëm të qasjes në dokumente publike, duke përfshirë këtu edhe nivelin qendrorë.

Pra, si institut bëjmë thirrje që qeveria qendrore të mos shfaqet pengesë për krijimin e kushteve të zhvillimit ekonomik nga komunat, madje dhe të ndihmojë komunat në këtë sektorë jetik për Kosovën. Po ashtu, Qeveria e Kosovës duhet të ndajë më shumë buxhet për decentralizimin e kompetencave që kanë marrë komunat në këto shtatë vitet e kaluara. Ndërsa komunave u bëjmë thirrje të jenë më transparente dhe gjithpërfshirëse në vendimmarrje, të fillojnë reformimin e administratës komunale dhe kufizojnë numrin e drejtorive komunale si dhe të thjeshtësojnë shërbimet komunale për qytetarët siç ka filluar në disa komuna, shtoi më tej Bakija.

Gjithashtu edhe Artan Canhasi, vlerësoi se gjetjet e Raportit të Progresit në fushën e luftës kundër korrupsionit reflektojnë disa gjetje të njëjta me raportin e vitit paraprak, që tregon se institucionet relevante duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për adresimin e rekomandimeve. Raporti cekë se “Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë fillestare të luftës kundër korrupsionit… dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha, përfshirë prokurimin publik” tha z. Canhasi.

Lidhur me financimin e partive politike ai tha se “Raporti i Progresit kërkon që zyra e ngarkuar me monitorimin e zbatimit të Ligjit për Financimin e Partive politike në KQZ-së duhet të ngritë kapacitetet pasi që partitë nuk respektojnë këtë ligj në masë të madhe”. 

Në këtë drejtim KDI ka ofruar edhe një numër rekomandimesh gjatë vitit sikurse rekomandimi që: institucionet e ndjekjes të hetojnë rastet e shkeljeve ligjore me dëme materiale të buxhetit të Kosovës dhe të marrin parasysh raportet e institucioneve tjera që monitorojnë zbatimin e ligjit sikurse raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe vendimet e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). 

Në fund përfaqësuesit e KDI-së, u bënë thirrje subjekteve politike që të tregojnë maturi politike dhe të gjejnë zgjidhje pragmatike për konstituimin e intitucioneve vitale të shtetit, në mënyrë që të adresohen për zgjidhje vërejtjet e artikuluara në këtë raport të Komisionit Evropian.