Komunat vazhdojnë të kenë probleme me transparencë të prokurimit publik

29.02.2016

Sot në një tryezë diskutimi u publikua “Indeksi i Transparencës në Prokurim Publik për komunat e Kosovës”.

 

Artan Canhasi nga “KDI/TIK”, ka prezantuar të gjeturat e raportit të KDI-së, ku sipas tij, konstatim kryesor ishte  fakti se ekziston një trend pozitiv i rritjes së transparencës së dokumenteve të publikuara nga komunat që kanë të bëjnë më prokurimin publik. Nga hulumtimi del po ashtu se në përgjithësi, mungon një pasqyrë e qartë e planifikimit, konsultimit me qytetarë dhe publikimit të shpenzimeve të komunave në Kosovë. Ueb faqet e komunave nuk kanë konsistencë në informacionin që ju ofrojnë qytetarëve në lidhje më shpenzimet e taksave të tyre.

Bekim Salihu nga “GAP”, panelist në këtë tryezë diskutimi, tha se  Publikimi i kontove analitike tre mujore, perveç që është obligim ligjor për komunat, është një nga veglat më të mira për të treguar transparencë, por është dhe një mjet i llogaridhënies  ndaj qytetarëve.

Ndërsa Hajrulla Ceku nga “Ec ma ndryshe”, përmendi tri keqkuptime kryesore që ndodhin në qasjen komunale ndaj transparencës në prokurim publik, duke përfshirë: Zyrtarët e informimit te cilët po veprojnë si propagandues të kryetarëve të komunave, e jo si informues të publikut; Ligji për qasje në dokumente e obligon institucionin që të përgjigjet brenda shtatë ditëve, por nuk e ndalon pro aktivitetin që t'i publikojë të dhënat në ueb faqe, si dhe Procesi i bërjes së buxhetit shihet si proces i njëanshëm .

Disa nga rekomandimet kryesore të KDI-së janë një që të bëhet një planifikim i duhur, duke përfshirë qytetarët përmes dëgjimeve publike, pasi që kjo gjë do të çonte në shpenzim më të mirë të parasë publike nga ana e komunave. Njëkohësisht, publikimi i buxhetit në ueb faqe do të ju ofronte mundësi qytetarëve që të njihen me planifikimin e shpenzimeve që do të bënte komuna. Po ashtu, raportet e shpenzimeve, përveç që ofrojnë llogaridhënie mund të shpërbejnë për udhëheqësit e komunave si reklamë për punën e bërë në komunë që përfundimisht kthehet në vota. Sado që ky hulumtim tregon një rritje të transparencës në procedurat e tenderimit dhe dhënies së kontratave, mesatarja ende mbetet nën 50% e larg nga një transparencë e plotë që do të duhej të ishte synim i çdo udhëheqjeje dhe shoqërie.

Raporti është i dizajnuar duke aplikuar të njëjtën metodologji si në vitin 2014 kur është bërë edhe matja e parë transparencës së Komunave në shtylla të ndryshme. Ky Indeks i transparencës përfshinë të gjithat Komunat e Kosovës. Indeksi bazohet në katër (4) shtylla kryesore dhe në 17 indikatorë të ndryshëm.

Raportin e plotë dhe të gjeturat mund ti shkarkoni në ueb-faqen e KDI-së  www.kdi-kosova.org

 

Ky aktivitet i KDI/TIK është realizuar në kuadër të projektit Transparenca dhe llogaridhënia në prokurimin publik në nivelin lokal, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.