KDI dhe Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike sot ishin nikoqir të takimit të dytë koordinues të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit ku u diskutua rreth rolit të Kuvendit dhe Komisioneve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ky takim kishte për synim të ofrojë një platformë diskutimi, bashkërendimi dhe dakordësimi në mes Komisioneve Parlamentare rreth rolit të tyre në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, ndërtimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për monitorimin, mbikëqyrjen, pjesëmarrjen dhe transparencën e këtij procesi.
Në këtë takim morrën pjesë Vjosa Osmani-Sadriu Kryetare e Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Lumir Abdixhiku Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Blerta Deliu-Kodra Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Ismajl Kurteshi Kryetar i Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Albulena Haxhiu Kryetare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Sala Berisha Shala Kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Besa Baftiu Kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Haxhi Shala Kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Driton Selmanaj Kryetar i Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Gjatë këtij diskutimi kryetarët e Komisioneve shprehën qëndrimet e tyre rreth nevojës së koordinimit të ndërsjelltë, vlerësimin dhe monitorimin e marrëveshjeve të arritura si dhe rritjen e transparencës për këtë proces. Kryetarët e komisioneve diskutuan gjithashtu rreth fazën së re të dialogut Kosovë –Serbi ku u theksua nevoja e një rezolute të re para fillimit të kësaj faze. Si dhe u kërkua që marrëveshjet e dialogut në të ardhmen të diskutohen në Komisionet përkatëse duke e marr aprovimin e tyre para nënshkrimit.
Në takim u vlerësua se duhet të rritet pjesëmarrja dhe komunikimi me qytetarët, duhet të vazhdohet me organizimin e vizitave në terren nga Komisionet për të parë nga afër zbatimin dhe ndikimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, si dhe të shtohet mbikqyrja ndaj ekzekutivit për marrëveshjet e arritura.
Kjo nismë për koordinimin e komisioneve parlamentare lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi u dakordua që të vazhdohet edhe në të ardhmen me takime të tjera me kërkesa dhe rekomandime konkrete për procesin e dialogut nga komisionet përkatëse drejtuar Kryesisë së Kuvendit dhe Ekzekutivit.
Ky takim organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.