Koalicioni #bashkeendreqim: Nuk mund të flitet për integritet e transparencë të partive politike, pa hapjen e raporteve financiar

07.12.2016

Koalicioni i organizatave joqeveritare në kuadër të “Javës kundër korrupsionit” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Zyrës së BE-së, ka mbajtur sot tryezë diskutimi me temë: “Integriteti dhe financimi i partive politike”.

Kjo tryezë kishte për qëllim ndërtimin e një vullneti politik për reformimin e partive politike në mënyrë që ato të jenë sa më transparente dhe llogaridhënëse.

Në hapje të kësaj tryeze drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se korrupsioni politik në Kosovë vazhdon të dëmtoj integritetin e partive politike duke shtrembëruar kështu përfaqësimin zgjedhor.  Sipas tij, partitë shihen si agjentë të pushtetit që zhvatin ryshfet, ndikojnë në sistemin e drejtësisë dhe keqpërdorin resurse publike në dëm të interesit publik.

Kurse Arton Demhasaj nga “Çohu!”, ka prezantuar raportin “Përsiatja e Dështuar” i cili për temë ka çështjen e financimit të partive politike në Kosovë. Sipas Demhasajt, hulumtimi na sjell një realitet në të cilin ekziston një “pushtet i parasë” i cili është i fuqishëm dhe ka ndikim të madh në mënyrën e ushtrimit të përgjegjësive politike dhe institucionale të partive politike.
“Lidhjet e biznesit me politikën përmes instrumentit të financimit të partive politike kanë shërbyer si bazë për të kuptuar edhe përkthimin e këtyre  investimeve në kontrata publike të përfituara nga ana e bizneseve”, ka thënë Demhasaj.

Isuf Zejna nga “D+” i cili prezantoi raportin “Sa kushton demokracia?”, ka thënë se subjektet politike nuk i kanë publikuar raportet e tyre financiare edhe pse kjo është një kërkesë ligjore. Për më tepër, ai ka thënë se është e nevojshme të ndryshohet Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, për të kërkuar më shumë kontroll dhe transparencë për fondet e fushatave zgjedhore.

Ndërsa Visar Sutaj nga KDI, i cili prezantoi raportin “Demaskimi i dyfytyrësisë politike në Kosovë”, ka thënë se pikënisja për reformë duhet të jetë nga liderët e partive politike, të cilët duhet punuar më shumë për të siguruar që partitë të cilat i udhëheqin të transformohen në institucione më të hapura dhe më të përgjegjshme ndaj publikut dhe të mos shihen si agjentë për krijimin e privilegjeve ndaj një grupi të ngushtë të interesave. 
“Mungesa e integritetit në partitë politike zbehë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të cilat ato kontrollojnë përfshirë qeverinë dhe kuvendin. Të gjeturat e fundit të Barometrit Global të Korrupsionit (GCB) e vërtetojnë këtë lidhje pasi që ato tregojnë se përfaqësuesit e qeverisë dhe kuvendit cilësohen si zyrtarë më të korruptuar në vend”, ka thënë Sutaj.  

Stephen Banks, përfaqësues i Ambasadës amerikane në Prishtinë, ka thënë se ne besojmë se korrupsioni është një prej problemeve më të rëndësishme me të cilin përballet Kosova, ndërsa është e orientuar drejt integrimit euroatlantik dhe pjesëmarrjes së saj në komunitetin ndërkombëtar. “Kjo është një problematik edhe në perceptimin publik si dhe një ndër temat kyçe nga Brukseli… Siç ka deklaruar edhe Zëvendës Presidenti z. Biden gjatë vizitës së tij në gusht në Kosovë ‘Korrupsioni i largon resurset ekonomike nga qytetarët si dhe largon investimet dhe zhvillimin e biznesit’. Dobëson aftësitë e një shteti për të mbrojtur veten duke e lënë atë të pafuqishëm  para manipulimeve nga jashtë. Thënë thjeshtë, vë në rrezik çdo gjë që Kosova ka arritur, shpreson të bëjë dhe të arrij në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Kurse Faton Topalli, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike, ka thënë se Komisioni i ka bërë çdo herë me kohë kërkesën Kuvendit për çështjen e auditimit të financave politike. “Mazhoranca përmes Komisionit për buxhet dhe financa është dashtë t’i ndajë mjetet e nevojshme që të sigurohet auditimi i financave të partive politike. Në mungesë të vullnetit politik dhe jo të bazës ligjore kjo çështje nuk u rregulla. Financat e partive politike shkojnë përtej mjeteve që ata i deklarojnë. Kemi një keqpërdorim të institucioneve, funksioneve shtetërore, financave të partive në pushtet të cilat përdoren gjatë fushatave zgjedhore gjë që paraqet keqpërdorim të parasë publike”, ka thënë Topalli.

Felix Rathje, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë gjatë kësaj tryeze ka thënë se BE-ja ka theksuar në Raportin për Kosovën çështjen e mosauditimit të financave të partive politike dhe mbajtjen e këtyre raporteve jashtë monitorimit të publikut.
Sipas tij, presioni i vazhdueshëm i këtij komuniteti të OJQ-ve ndaj Qeverisë dhe BE-së ka ndikuar që kjo çështje të ngritët si prioritet në agjendën e reformave evropiane. Po ashtu ka informuar se shefja e BE-së për Kosovë, znj. Apostolova është takuar dje me kryetarin e Kuvendit të Kosovës z.  Kadri Veseli dhe ka marrë përkushtimin e tij për të hapur financat e subjekteve politike.

Pjesë e diskutimit ishin edhe përfaqësues të partive politike në Kosovë si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

*Pjesë e koalicioni të organizatave joqeveritarë në kuadër të “Javës kundër korrupsionit” me moton #Bashkeendreqim janë: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).