KDI: Të dhënat publike të integritetit politik të ndërlidhen për të forcuar llogaridhënien

Tryeza 24.04.2026

KDI: Të dhënat publike të integritetit politik të ndërlidhen për të forcuar llogaridhënien

 

Prishtinë, 24 prill 2026

 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit me temë “Forcimi i integritetit politik përmes digjitalizimit”, ku u prezantuan gjetjet kryesore mbi sfidat ligjore, institucionale dhe digjitale që ndikojnë në integritetin politik në Kosovë.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve përkatëse, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, OGP Kosova (Partneriteti për Qeverisje të Hapur), shoqërisë civile dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë për të diskutuar ndërveprimin ndërmjet deklarimit të pasurisë, financimit politik dhe prokurimit publik si tri shtylla themelore të integritetit politik.

Në prezantimin e saj, znj. Diana Metushi-Krasniqi nga KDI theksoi se, pavarësisht progresit të arritur në transparencë, ekosistemi i të dhënave për integritetin politik vazhdon të jetë i shpërndarë dhe jo mjaftueshëm në përputhje me standardet për të dhëna të hapura dhe të përpunueshme, duke pamundësuar llogaridhënien efektive të zyrtarëve publikë.

Analiza e KDI-së tregon se Kosova ka zhvilluar një kornizë ligjore relativisht të avancuar në fushat kyçe të integritetit politik, megjithatë zbatimi mbetet i dobët dhe të dhënat publike vazhdojnë të jenë të fragmentuara, të pa standardizuara dhe të pa ndërlidhura.

Për më tepër, platforma unike digjitale Integrity Watch Kosova, e lansuar nga KDI vitin e kaluar që ka ndërlidhur të dhëna të ndryshme të integritetit politik, ka dëshmuar se ekzistojnë rreziqe reale të korrupsionit në sektorin publik.

Gjetjet kryesore tregojnë se:

  • sistemi i e-Prokurimit mbetet më i avancuari në publikimin e të dhënave për shpenzimin e parasë publike, por mungojnë metadata dhe dokumentimi i plotë i informacionit digjital;
  • deklarimet e pasurisë dhe raportet financiare të subjekteve politike publikohen në formate të papërpunueshme, duke kufizuar përdorimin e tyre;
  • financimi i subjekteve politike dhe regjistrat e biznesit nuk janë të ndërlidhur me të dhëna të tjera, duke e bërë të vështirë identifikimin e konflikteve të interesit dhe lidhjeve të mundshme me kontratat publike.

Në këtë kontekst, KDI thekson se sistemi aktual prodhon transparencë formale, por jo llogaridhënie reale për shkak se mungon përdorimi aktiv i të dhënave për analizë, dhe vendimmarrje.

Përfaqësuesit institucionalë në panel theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimit të digjitalizimit:

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Ermal Sadiku, potencoi që digjitalizimi i politikave dhe praktikave publike nuk është më dëshirë e së ardhmes, por domosdoshmëri e të sotmes dhe politika duhet të bëj një angazhim konkret për instumentalizimin e saj me qëllim të rritjes së efikasitetit qeverisës, transparencës dhe vendimmarrjes. Tutje ai tha se “diskursi për inteligjencën artificiale mbetet bosh nëse institucionet vazhdojnë të funksionojnë me procese burokratike dhe sisteme të fragmentuara dhe se transformimi digjital kërkon ndryshim rrënjësor të mënyrës si shteti menaxhon të dhënat dhe ndërton shërbimet për qytetarët.”

Në vazhdim, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, z. Yll Buleshkaj, theksoi se “digjitalizimi po e bën transparencën më të arritshme dhe më efikase, por pa vullnet politik dhe pa mbështetje për publikimin e të dhënave, integriteti publik rrezikon të mbetet vetëm një platformë funksionale, jo një realitet i prekshëm për qytetarët.”

Kurse, Kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, z. Osman Vishaj, deklaroi se digjitalizimi i prokurimit ka shënuar progres të rëndësishëm, por pa adresimin e menaxhimit të kontratave, mungesës së kapaciteteve teknike dhe integritetit të zyrtarëve, rreziku real mbetet te mënyra si shpenzohen fondet dhe jo si zhvillohen procedurat.

Nga ana tjetër, znj. Mërgita Kryeziu, Udhëheqëse e Njësisë për Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në Komisionit Qendror i Zgjedhjeve tha se publikimi i të dhënave për financimin politik është një hap i rëndësishëm drejt transparencës, por pa mekanizma digjitalë për analizë dhe zbulim të hershëm të parregullsive, mbikëqyrja rrezikon të mbetet një ushtrim formal përballë kompleksitetit real të financimit politik.

Rrjedhimisht, z. Flurim Arifi, Drejtor i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna pranë MAPL, Divizioni për Partneritetin për Qeverisje të Hapur OGP Kosova, tha se anëtarësimi i Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur shënon një hap të rëndësishëm për vendin, por suksesi i tij do të matet jo nga planet e veprimit, por nga zbatimi real i zotimeve për transparencë, shërbime digjitale të integruara dhe përfshirje aktive të qytetarëve në vendimmarrje.

Diskutimi theksoi gjithashtu nevojën për një qasje më proaktive në përdorimin e të dhënave për hetim, mbikëqyrje dhe parandalim të korrupsionit.

Si përgjigje ndaj sfidave të identifikuara, KDI kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet.

  • Qeveria duhet të avancojë kornizën ligjore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke vendosur rregulla të detyrueshme për publikimin e të dhënave në formate të hapura, përfshirë metadata, API dhe identifikues unikë.
  • Institucionet publike duhet të zbatojnë në praktikë parimin “open-by-default”, duke kaluar nga publikimi formal i dokumenteve në transparencë në kohë reale dhe në formate të ripërdorshme.
  • Ministria për Digjitalizim dhe Administratë Publike duhet të marrë rol udhëheqës në ndërlidhjen ndërinstitucionale të të dhënave, për të mundësuar identifikimin automatik të rreziqeve të integritetit, si dhe të shtyjë përpara digjitalizimin e plotë të proceseve dhe përdorimin aktiv të të dhënave për rritjen e llogaridhënies.

 

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit rajonal “Integrity Watch në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe në asnjë rrethanë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.