Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar sot edicionin e 11-të të aktivitetit tradicional “Fotogara” si dhe edicionin e dytë të garës së eseve, përmes së cilës ndahen çmimet për tri fotografitë dhe esetë më të mira mbi temën e luftës kundër korrupsionit.
Edhe këtë vit, qytetarë – e sidomos të rinj – nga komuna të ndryshme të vendit aplikuan me dhjetëra fotografi dhe ese, duke reflektuar interes, angazhim dhe vëmendje ndaj problemeve që korrupsioni shkakton në jetën e përditshme. Fotografitë fituese të këtij edicioni trajtojnë çështje të prekshme dhe të dukshme si abuzimet në infrastrukturë dhe dëmet ndaj mjedisit. Edhe esetë fituese sjellin qasje personale dhe analitike, duke treguar qartë se brezi i ri e kupton seriozitetin e korrupsionit dhe kërkon institucione që funksionojnë me integritet.
Pas ceremonisë, pjesëmarrësit zhvilluan vizitë në mediumin Telegrafi dhe kompanitë Hallakate dhe Pixels, ku patën mundësi të njihen nga afër me mënyrën se si ndërtohet raportimi profesional, si funksionojnë fushatat e komunikimit dhe si përdoret media për të forcuar llogaridhënien publike. Përmes kësaj vizite, KDI synoi t’i pajisë të rinjtë me njohuri më praktike mbi rolin e informimit dhe transparencës në një shoqëri demokratike.
KDI rikujton se lufta kundër korrupsionit kërkon angazhim të çdo niveli, dhe rinia mbetet një prej zërave më të drejtpërdrejtë dhe më të guximshëm në këtë përpjekje. Për më tepër, KDI falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre dhe partnerët për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e standardeve të integritetit publik në Kosovë.