KDI: Rregullimi i lobimit në procesin legjislativ të trajtohet me vëmendje të shtuar nga legjislatura e ardhshme dhe të mbështetet në modelet më të mira ndërkombëtare
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar sot tryezë diskutimi ku është publikuar analiza “Momentumi i ri politik për rregullimin e lobimit legjislativ në Kosovë”. Diskutimi mblodhi bashkë përfaqësues të institucioneve publike, kandidatët për deputetë, organizata të shoqërisë civile, media, ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Diskutimi kishte për qëllim të ri-nisë diskursin për çështjen e rregullimit të lobimit në procesin legjislativ duke përfituar nga momentumi i ri politik, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Iniciativa për nevojën e rregullimit të lobimit në procesin legjislativ buron nga puna dhe hulumtimet e KDI-së në praktikën parlamentare qysh nga viti 2019, të cilat kishin evidentuar praktika të qarta të ndikimit të akterëve jashtëinstitucionalë në ligje për përfitime private. Përkundër ekzistimit të këtyre praktikave, Kosova ende mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka rregulluar lobimin legjislativ, kryesisht për shkak të vullnetit të munguar politik.
Në hapje të tryezës, menaxheri i projekit, Plator Avdiu rikujtoi se lobimi është veprim legjitim i pjesëmarrjes politike që u mundëson akterëve të ndryshëm të kenë qasje në formësimin dhe zbatimin e politikave publike. Megjithatë, mungesa e rregullimi të transparencës në lobimin legjislativ mund të krijojë hapësira për grupe të interesit për të shtyrë favore dhe për të prodhuar “ligje me porosi”, duke cenuar integritetin e procesit lighvënës dhe intersin publik.
Ai konstatoi se rregullimi ligjor i lobimit në Kosovë duhet të merr parasysh standardet ndërkombëtare të lobimit, veçanërisht transparencë për krijimin e regjistrit të detyrueshëm të lobimit, kodin e mirësjelljes për integritetin e zyrtarëve publike dhe lobistëve, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje e konsultime publike, si dhe krijimin e një mekanizmi të pavarur për lobimin, raportimin e shkeljeve që mund të ndodhin gjatë aktiviteteve lobuese dhe sanksionet penale për lobistët dhe zyrtarët publikë.
KDI ka rekomanduar që pas konstituimit të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, çështja e lobimit legjislativ të rregullohet qoftë përmes Rregullores së re të Punës së Kuvendit të Kosovës ose përmes një ligji të vecantë.
Rregullimi përmes Rregullores së Punës, si formë fillestare e lobimit bazohet në praktikat e disa shteteve të fuqishme evropiane (Gjermania/Franca) të cilat pastaj në faza te mëvonshme kanë krijuar ligje të veçanta. Edhe Parlamenti Evropian e ka të rregulluar lobimin përmes rregullores së vet të punës.
Në panelin diskutues, kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit e partive parlamentare në përgjithësi e përkrahën nismën për rregullimin e lobimit, duke vënë preferenca tek mënyra e rregullimit përmes ligjit të veçantë. Kjo për faktin se ndryshimi i Rregullores së Punës së Kuvendit është i vështirë meqë kërkon konsensus të gjerë, pra votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit.
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, deklaroi se është “kundër institucionalizimit të lobimit”, duke thënë se rregullimi ligjor duhet të përfshinë transparencë të plotë dhe mbikëqyrje maksimale të lobimit.
Ndërkaq, kandidatja për deputete nga PDK-së, Blerta Deliu Kodra, deklaroi se për temën e lobimit mungon konsensusi mes subjekteve politike, por premtoi “që do ta diskutojmë ketë temë kur të vjen në Kuvend”.
Për përfaqësuesin e LDK-së, Donat Lushaku, lobimi duhet të rregullohet me ligj të veçantë ne legjislaturë ne ardhshme të Kuvendit dhe në këtë mënyrë do të formalizohej si koncept sepse, sipas tij, lobimi në Kosovë ekziston. Ai theksoi se ligji duhet të përmbajë kufizime dhe ndalesa, por edhe transparence, duke përmendur se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit mund të menaxhojë me regjistrimin e lobimit.
Nga ana tjetër, kandidati për deputet i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se ekziston një problem i madh që lobimi nuk është përfshirë në agjendat legjislativë të Kuvendit apo Qeverisë që prej vitit 2019 kur ka nisur debati për këtë temë. Ai konstatoi se lobimi duhet të rregullohet jo vetëm në nivelin legjislativ, por edhe për Qeverinë dhe komunat.
Ky aktivitet është mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe në asnjë rrethanë nuk pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.