KDI: Reforma e prokurimit publik duhet të kalojë nga ndryshimet teknike drejt transformimit strukturor

Konferenca për media Tryeza 24.06.2026
KDI: Reforma e prokurimit publik duhet të kalojë nga ndryshimet teknike drejt transformimit strukturor

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit me temë “Prokurimi publik në Kosovë: Përtej ndryshimeve teknike – Drejt një reforme strukturore të prokurimit publik në Kosovë”, ku u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet kryesore për reformimin e sistemit të prokurimit publik. Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, deputetë, organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

Në hapje të tryezës, z. Florent Spahija nga KDI theksoi se prokurimi publik nuk është vetëm një procedurë administrative, por një mekanizëm që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. “Kur projektet publike dështojnë ose nuk i përgjigjen nevojave të qytetarëve, atëherë kemi dështuar të krijojmë vlerë nga paratë publike. Debati për prokurimin duhet të fokusohet te rezultatet dhe ndikimi i investimeve publike”, tha Spahija.

Në prezantimin e saj, znj. Diana Metushi Krasniqi nga KDI theksoi se, ndonëse Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm në digjitalizim dhe transparencë, reforma e ardhshme duhet të adresojë mangësitë strukturore të sistemit. Ajo rikujtoi se reforma e fundit gjithëpërfshirëse është realizuar në vitin 2011, ndërsa ndryshimet e viteve 2015–2016 kanë qenë kryesisht teknike. Sipas saj, përpjekjet e mëvonshme për reformë nuk janë finalizuar, ndërsa përjashtimi i shoqërisë civile nga grupi i ri punues i krijuar në janar 2026 ngre shqetësime për gjithëpërfshirjen e procesit.

Sipas analizës së KDI-së, reforma duhet të zhvendosë fokusin:

  • nga transparenca drejt performancës;
  • nga tenderimi drejt menaxhimit të gjithë ciklit të prokurimit;
  • nga procedurat drejt vlerës për paranë publike;
  • nga çmimi më i ulët drejt qëndrueshmërisë dhe inovacionit;
  • nga pajtueshmëria formale drejt rezultateve konkrete për qytetarët.
Gjatë panelit diskutues, deputetja znj. Eliza Hoxha theksoi nevojën për ndarjen e funksioneve të blerjes nga ato të prokurimit, krijimin e një Katalogu Shtetëror të Çmimeve dhe integrimin e dimensionit gjinor në prokurimin publik.

Deputetja znj. Janina Ymeri vuri theksin te menaxhimi i dobët i kontratave dhe mungesa e llogaridhënies, duke e cilësuar këtë si një nga rreziqet kryesore për financat publike.

Ndërkaq, znj. Albulena Nrecaj nga INPO theksoi se Ligji i Prokurimit Publik është kryesisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian, ndërsa sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale për shkeljet dhe lëshimet.

Në përfundim, pjesëmarrësit u pajtuan se reforma e ardhshme duhet të shkojë përtej ndryshimeve procedurale dhe të ndërtojë një sistem modern të prokurimit publik të bazuar në performancë, integritet, menaxhim të rrezikut dhe përdorim strategjik të shpenzimeve publike.

KDI vlerëson se reforma duhet të mbështetet në modernizimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, zhvillimin e sistemit Procure-to-Pay (P2P), menaxhimin e integritetit dhe rrezikut, orientimin drejt performancës dhe promovimin e prokurimit të qëndrueshëm.

Analizën e plotë mund ta gjeni KËTU.

Ky aktivitet u organizua nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me mbështetjen e Bashkimit Evropian.