Prishtinë, 16 nëntor 2026 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar rezultatet e sondazhit të realizuar gjatë tetorit me 1,065 të anketuar mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Gjetjet evidentojnë shqetësime lidhur me pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vonesat në trajtimin e lëndëve dhe vështirësitë e qytetarëve për të realizuar të drejtat e tyre.
Sipas rezultateve, vetëm 8.5% e të anketuarve konsiderojnë se gjyqtarët dhe prokurorët janë plotësisht të pavarur nga ndikimet politike, ekonomike apo ndikimet e tjera. Mbi 78% e qytetarëve besojnë se gjyqtarët dhe prokurorët ose nuk janë plotësisht të pavarur ose janë vetëm deri diku të pavarur.
Perceptimet e të anketuarve janë kritike edhe ndaj mekanizmave të llogaridhënies. Vetëm 38.8% pajtohen se ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkelin rregullat merren masat e duhura, ndërsa 40.8% mendojnë që për t’a nuk ndërmerren masa ndëshkimore.
Vonesat dhe qasja në drejtësi mbeten ndër shqetësimet kryesore. Rreth 48.4% e të anketuarve vlerësojnë se gjykatat nuk i përfundojnë lëndët brenda një kohe të arsyeshme kundrejt 39.5% që mendojnë se gjykatat i përfundojnë rastet në kohë.
Ndërsa 50.6% e të anketuarve mendojnë se do ta kishin të vështirë ose shumë të vështirë t’i mbronin të drejtat e tyre përmes institucioneve të drejtësisë, kundrejt 30.8% që besojnë që e kanë shumë të lehtë.
Të pyetur se cilat veprime i konsiderojnë më të rëndësishme për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, të anketuarit kanë përzgjedhur zvogëlimin e ndikimit politik te gjyqtarët dhe prokurorët (44.7%), luftimin më efektiv të korrupsionit në drejtësi (43.2%), forcimin e llogaridhënies (40%), trajtimin e lëndëve pa vonesa (37.7%) dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rezultate të dobëta në punë (35.2%).
KDI ka realizuar këtë sondazh pikërisht në periudhën kur në Kuvendin e Kosovës është duke u shqyrtuar pakoja e ligjeve që ka synon reformimin e sistemit të drejtësië. Përmes këtij sondazhi është synuar informimi i qytetarëve për ndryshimet ligjore që priten të aprovohen në Kuvend, dhe për të marrë opinionet e tyre se si mund të përmirësohet efikasiteti i institucioneve të drejtësisë.
Për KDI-në, suksesi i Reformës në Drejtësi duhet të matet vetëm me miratimin e ligjeve të por me rezultatet që këto ligje pritet të sjellin në trajtimin efikas të lëndëve dhe në rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë.
Shënim: Sondazhi përfshin 1,065 të anketuar dhe pasqyron perceptimet dhe përvojat e tyre të deklaruara. Në pyetjen për prioritetet e reformës, pjesëmarrësit kanë mundur të zgjedhin deri në tri përgjigje.
Ky sondazh u realizua në kuadër të projektit “Formësimi i reformave në drejtësi dhe kundër korrupsionit përmes dialogut kuptimplotë”, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Kosovë.