KDI publikon raportin e shpenzimeve të subjekteve politike përgjatë fushatës parazgjedhore 2010

01.01.2011

Prishtinë, 24 mars 2011 – Në kuadër të projektit CRINIS ? ndriçimi i parave në politikë, KDI ka monitoruar kostot e subjekteve politike gjatë fushatës parazgjedhore për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të datës 12 dhjetor 2010, duke filluar nga 1 deri më 10 dhjetor 2010. Gjatë monitorimit të kësaj fushate, KDI ka nxjerr të dhëna mjaft të rëndësishme të cilat tregojnë se sa të vullnetshme janë subjektet politike për t?i bërë transparente financat e tyre. Si dhe kur, dhe në çfarë aspekte ato kanë shkelur ligjet dhe rregullat në fuqi, vetëm e vetëm për të mos bërë transparent mënyrat e financimit të tyre.

Nga të gjeturat e KDI-së, shkeljet më të mëdha që subjektet politike kanë bërë gjatë fushatës për vitin 2010 janë: nënvlerësimi i shpenzimeve, mos deklarimi i pasurive, deklarimi gjysmak i të hyrave dhe shpenzimeve totale, apo edhe mos deklarimi fare i këtyre të fundit, mos paraqitja e donatorëve privat, mungesat e dëshmive për të vërtetuar shpenzimet, mungesa e dokumentacionit që tregon gjendjen e xhirollogarisë bankare, dorëzimi i deklaratave financiare pas mbarimit të afatit të paraparë me ligj, si dhe tejkalimi i limitit të shpenzimeve të lejuara me ligj.

Lëshime të ngjashme nga subjektet politike ishin vërejte edhe përgjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit 2009 nga auditori. Ndërsa, edhe pse auditori kishte dhënë rekomandime konkrete për t?i evituar këto shkelje, subjektet politike vazhdojnë të sillen në mënyrën e njëjtë, duke i bërë këto të fundit te papërgjegjshme dhe adresë për kritika të vazhdueshme nga ana e organizatave të shoqërisë civile. Ndërkaq, në vitin 2009 nga subjektet politike te cilat nuk kane dorëzuar fare deklaratat e tyre financiare janë subjektet si: AAK , LDK dhe PDK.
Për mw tepër, shumat e deklaruara në KQZ nuk përkojnë me shumat të cilat KDI ka arritur t?i sigurojë gjatë monitorimit të shpenzimeve të fushatës parazgjedhore 2010, gjë qe vë në dyshim shumicën e deklaratave financiare të subjekteve politike të dorëzuara në KQZ.

Merita Mustafa, menaxhere e programit ?Transparenca dhe Antikorrupsioni? ka thënë se ; në bazë të të dhënave të cilat KDI ka arritur t?i nxjerr, mund të konkludohet se subjektet politike aspak nuk kanë ndryshuar qasjen e tyre për t?i bërë transparente financat e tyre, gjë që u jep me pak të drejtë që ta bindin opinionin e gjerë se, përkushtimi i tyre është garantimi i një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

?Për më tepër, fondi nga shteti për financimin e fushatës zgjedhore qendrore dhe lokale, për zgjedhje të rregullta dhe të jashtëzakonshme, ndan mjete me propozim të Qeverisë por jo më shumë se 0.05 % të Buxhetit të Kosovës. Kjo do të thotë që, nga Fondi i lartpërmendur vetëm me qëllim të financimit të fushatave parazgjedhore ndahen 628,000 Euro, dhe atë 90 % i këtyre mjeteve financiare u ndahet subjekteve politike në bazë të numrit të vendeve në Kuvend nga zgjedhjet e fundit, dhe 10 % ?ndahen proporcionalisht për subjektet politike të posa regjistruara dhe të certifikuara për zgjedhjet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve?. Ka thënë Mustafa në konferencën për media ku u publikua ky raport, ndërkohë ka shtuar se shuma maksimale e shpenzimeve për fushatën zgjedhore të cilën subjektet politike nuk duhet ta tejkalojnë është 815,318 Euro.

Nga rezultatet e monitorimi te kostos se fushatës se subjekteve politike, KDI ka evidentuar se PDK është subjekti politik i cili ka shpenzuar më së shumti, dhe atë 1,004,814 Euro, duke tejkaluar kështu maksimumin prej 815,318 Euro (0.50 Euro për votues të regjistruar) të caktuar nga KQZ. LDK renditet e dyta me 608,037 Euro, AKR me 553,738 Euro, AAK me 459,521 Euro, LDD me 140,186 Euro, Vetëvendosje me 105,017 Euro, KDTP me 74,431 Euro, FER me 66,507 Euro, dhe SLS e nënta me 50,661 Euro të shpenzuara gjatë fushatës.
Ndërkaq, nga të dhënat e siguruara nga KQZ, deri më 22 mars 2011, PDK ka deklaruar 145,984 Euro (pa deklaratat financiare të 30 komunave), LDK ka deklaruar 296,751 Euro, AKR ka deklaruar 401,834 Euro, AAK ka deklaruar 176,885 Euro, LDD ka deklaruar 6,540 Euro, Vetëvendosje ka deklaruar 91,425 Euro, KDTP ka deklaruar 32,080 Euro, FER ka deklaruar 75,006 Euro. Ndërkaq subjekti politik SLS ka deklaruar njëherë Deklaratën Financiare në KQZ dhe e ka tërhequr prapë, ku si pasojë nuk kemi mundur të shohim përmbajtjen e këtij raporti.

Ndërsa , sipas këtij raporti, shpenzimet më të mëdha që subjektet kanë arritur t?i bëjnë sipas kategorisë së aktiviteteve janë: tubimet me qytetarë 2,249,276 euro , emetimi i spoteve në kanalet televizive 519,850, promovimi në shtypin ditor 257,553, në ueb portale 29,224 dhe radio7,010 euro.

Projekti ?CRINIS është koncept i zhvilluar nga organizata me renome botërore Transparency International (TI), dhe që është realizuar në shumë vende të botës. Ndërsa, tani se fundmi është duke u realizuar edhe në Shqipëri, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, dhe Serbi nën përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze(MPJN).
Qëllimi i këtij projekti është të vlerësojë kornizën ligjore dhe zbatimin e këtyre ligjeve në aspektin e transparencës së financave në politikë. Bazuar në rezultatet e këtij hulumtimi, KDI zhvillon aktivitete avokimi për të bërë reforma me qëllim të përmirësimit të këtyre ligjeve dhe zbatimit të tyre.