KDI publikoi Analizën gjithpërfshirëse të raporteve të auditorit për komunat

Tryeza 24.10.2024

KDI publikoi Analizën gjithpërfshirëse të raporteve të auditorit për komunat

 

Prishtinë, 22 tetor 2024 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka organizuar një konferencë, ku është publikuar Analiza gjithpërfshirëse mbi përsëritjen dhe nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve të dalura nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit ZKA për 12 komuna të Kosovës”.

 

Në hapje të konferencës, drejtori ekzekutiv i KDI/TIK, Ismet Kryeziu ka vlerësuar se KDI angazhohet për të ndihmuar në ngritjen e transparencës në financat publike. Sipas tij, nga ky raport do të duhej të hapej debati se a është çështja tek mungesa e planifikimit të buxhetit, mungesa e kapaciteteve, apo e politikave planifikuese afatgjte, ngase sipas raportit vjetor të ZKA, për vitin 2023vetëm 39% e rekomandimeve të Auditorit janë zbatuar nga komunat, një rënie krahasuar me vitin 2022, ku shkalla e zbatimit ishte 46%.

Kryeziu ka vlerësuar se deputetët kanë përgjegjësi në mbikëqyrjen e financave publike.

 

Sipas të gjeturave kryesore të analizës, evidentohet përsëritje sistematike e gjetjeve nga viti në vit.

 

Në prezantimin e analizës, Selvije Kurti, menaxhere e projekteve, ka thënë se raportet e auditorit theksojnë se gjetjet për komunat në shumicën e rasteve derivojnë nga: ndryshimet buxhetore të projekteve kapitale pa aprovim të kuvendit komunal, mosplanfikimi adekuat i buxhetit sidomos për projekte kapitale, mospërfillja e procedurave të prokurimit publik, nënshkrimi i kontratave pa fonde të miratuara, menaxhimi i dobët i pronave publike komunale, mosrespektimi i procedurave ligjore për lejet ndërtimore, dhënia e subvencioneve pa respektuar procedurat ligjore, kontrolli i dobët në zbatim të projekteve dhe moszbatimi i rekomandimeve të Auditorit.

 

Ndërkohë, në bazë të analizës, janë paraqitur edhe rekomandimet që duhet të merren parasysh nga të dyja nivelet e qeverisjes, e që përfshijnë: rishikimin me prioritet të kornizës ligjore, rishikimi i rolit të ZKA-së dhe zgjerimi i kompetencave për zbatim më efikas të rekomandimeve nga organizatat buxhetore, trajtimi me prioritet nga organet e drejtëisë të gjetjeve, si dhe të hulumtohen dhe adoptohen praktikat ndërkombëtare për adresimin efektiv të gjetjeve të Auditorit dhe për të përmirësuar menaxhimin e parasë publike në nivel komunal.

 

Nga ana tjetër, panelistët në konferencë kanë dhënë vështrimet e tyre karshi kësaj çështjeje.

Auditorja e Përgjithshme, Vjollca Spanca ka vlerësuar se ZKA për shkak të mandatit, është më shumë e fokusuar në aspektin e rekomandimeve sesa një madant obligativ apo afirmativ. Sipas saj, misioni i ZKA-së nuk përfundon me raportin, por sipas Kushtetutës, misioni përfundon atëherë edhe kur ndikon në përmirësimin e shpenzimit të parasë publike. Ajo ka përmendur edhe integritetin dhe besueshmërinë që sipas saj e gëzon ZKA.

 

Panelisti tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, është fokusuar në shkaqet e gjetjeve nga ZKA, me theks të vecantë rreth kontekstit të kontratës kolektive, ku këtë vit, institucioni i përmbaruesit ka tërhequr mjetet e komunës në vlerë prej 2 milion euro, duke bërë përgjegjës nivelin qendror. Ai ka thënë se komunat nuk mund të zabtojnë rekomandimin rreth kontratës kolektive dhe nuk duhet të lejohet fati që komunat të penlizohen nga obligimet rretrh kontratës kolektive.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, duke vlerësuar analizën, ka thënë se jo domosdoshmërisht raporti i modifikuar lidhet me punën ose mos punën e një kryetari aktual, por mund të ndikojë nga situata të tjera, si rasti me kontratën kolektive. Sipas tij, në këto raste, komunat janë vetëm bartëse të barrës.

Ai ka vlerësuar po ashtu se komuna që ai drejton ka edhe mungesë të stafit të përgatitur professional të auditimit të brendshëm.

 

Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë paraqitur vlerësimet e tyre sa i përket ngecjeve të adresimit të rekomandimeve të ZKA-së.

Mirlinda Tishukaj Sadiku ka thënë se Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike është munduar në këtë aspekt, por kanë qenë të hendikepuar, pasi një gjë e tillë nuk e lejon Ligji për Qeverisje Lokale. Sipas saj, ne duhet ta shohim Republikën e Kosovës si një tërësi, sepse buxheti është i qytetarëve.

Deputetja Sadiku ka premtuar se si ligjvënës mund të ndikojnë tek Ligji i Finacave Publike, Ligji i Prokurimit, por tek adresimi i rekomandimeve, kryetarët duhet të shikojnë se cka mund të bëjnë vetë ata.

 

Edhe deputeti tjetër i këtij komisioni, Hajdar Beqa ka folur rreth cështjes së mungesës së adresimit të rekomandimeve të ZKA-së. Sipas Beqës, një situatë jo e mirë është në të gjitha nivelet. Ai ka theksuar se nga kjo konferencë duhet të dalin rekomandime konkrete se cka mund të bëjnë deputetët dhe të debatohen këto cështje edhe në senaca plenare.

 

Në këtë konferencë është zhvilluar edhe debat i hapur me pjesëmarrësit që kanë dhënë vështrimet e tyre karshi kësaj cështjeje.

Raporti i plotë: https://kdi-kosova.org/publikimet/analize-gjitheperfshirese-cka-qendron-prapa-ngecjes-se-komunave-ne-zbatimin-e-rekomandimeve-te-auditorit-dhe-perseritjen-e-tyre-vit-pas-viti/